Thinking ...
Connect with us

Politike

Trondit Berisha: Gjatë kontrollit tek Ilir Proda kanë gjetur snajper

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është rikthyer te çështja e drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, gjatë një takimi me simpatizantët e PD-së.

Duke komentuar masën e sigurisë të vendosur ndaj Hysenit në kuadër të hetimeve, Berisha e akuzoi atë për lidhje me grupe kriminale. Sipas kreut të PD-së, drejtuesja e SHISH u ka vënë në dispozicion eksponentëve kriminalë pajisje për regjistrime, filmime dhe survejim, të blera me fonde publike.

“Del se kreu i SHISH, që ka detyrë më kryesore sigurinë kombëtare, sigurinë e gjithanshme, është një ushtare e shpifur e krimit të organizuar. I jepte bandave dhe krimit të gjitha mjetet që bliheshin me taksat tuaja të regjistrimeve, të filmimeve, të survejimeve”, deklaroi Berisha.

Në fjalën e tij, kreu i PD-së komentoi edhe kontrollet e kryera në banesën e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Berisha pretendoi se gjatë kontrollit është gjetur një armë snajper, të cilën e cilësoi si “super-special”.

Berisha hodhi gjithashtu akuza ndaj zyrtarëve dhe biznesmenëve të tjerë, duke pretenduar se çështjet që lidhen me Belinda Ballukun, Vlora Hysenin, Ermal Beqirin dhe Ergys Agasin janë zhvilluar, sipas tij, nën urdhrat e kryeministrit Edi Rama.

“Asnjë prej tyre nuk është bërë pa urdhrin e tij. Shqiptarët do mësojnë shumë e shumë gjëra të tjera, nga aktet e shëmtuara kriminale të kësaj bande”, tha Berisha.

Pretendimet e kreut të PD-së janë deklarata politike dhe nuk përbëjnë në vetvete konstatime gjyqësore. Për personat e përmendur në lidhje me hetimet, përgjegjësia penale përcaktohet vetëm përmes vendimeve përfundimtare të gjykatës.

Advertisement