Shkrime
Trump e tha, shifrat e mbështesin, Amerika po merr kontrollin e Ngushticës së Hormuzit
Presidenti amerikan pretendoi se Shtetet e Bashkuara kanë kontroll të plotë mbi këtë korridor strategjik, një deklaratë që u konsiderua fillimisht si një tjetër hiperbolë e Trumpit.
Por të dhënat e trafikut detar tregojnë se situata në Hormuz ka ndryshuar ndjeshëm.
Sipas kompanisë Kpler, e cila monitoron lëvizjet e anijeve në kohë reale, gjatë dy javëve të fundit më shumë se 80 për qind e naftës bruto që ka kaluar përmes ngushticës ka përdorur korridorin pranë brigjeve të Omanit.
Ky është një ndryshim i rëndësishëm.
Vetëm një muaj më parë, në këtë zonë regjistrohej shumë pak trafik tregtar.
Analistët thonë se zhvillimi tregon se Irani mund të ketë humbur pjesërisht kontrollin praktik mbi këtë pjesë të ngushticës.
Por tabloja bëhet edhe më e ndërlikuar.
Nga 1 deri më 19 gusht, 236 anije kanë kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Vetëm 83 prej tyre kanë përdorur korridorin iranian, ndërsa pjesa më e madhe, plot 148 anije, kanë lundruar me sistemet e identifikimit të fikura.
Përpara konfliktit, kjo shifër ishte rreth 35 për qind.
Fikja e transponderëve u jep anijeve më pak dukshmëri dhe, teorikisht, ul rrezikun për t’u identifikuar si objektiv.
Por ekspertët paralajmërojnë se kjo praktikë sjell një tjetër problem: rrit rrezikun për sigurinë e lundrimit dhe e bën trafikun detar më pak transparent.
Në javët e fundit, tensioni është përshkallëzuar edhe me goditje konkrete.
Autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe kanë denoncuar një sulm iranian ndaj një cisterne, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë goditur një anije mallrash që Uashingtoni e akuzoi se po përpiqej të thyente bllokadën.
Dhe pikërisht këtu shfaqet roli i Shteteve të Bashkuara.
Sipas raportimeve të Axios, të cilat citojnë zyrtarë amerikanë, Uashingtoni po menaxhon në mënyrë të koordinuar një korridor tranziti përgjatë pjesës jugore të Hormuzit, pranë ujërave të Omanit.
Sipas burimeve amerikane, çdo natë 15 deri në 20 cisterna kalojnë në dy kolona, njëra në hyrje dhe tjetra në dalje.
Operacioni koordinohet nga një strukturë amerikane me bazë në Fort Bragg.
Sipas të njëjtave burime, kjo skemë ka rikthyer në qarkullim rreth 10 milionë fuçi naftë në ditë.
Shifra është ende rreth gjysma e volumit që kalonte në Hormuz përpara konfliktit, por përfaqëson një rritje të ndjeshme krahasuar me muajt e fundit.
Nga ana tjetër, Uashingtoni jep shifra edhe më të larta.
Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, deklaron se aktualisht përmes Hormuzit po kalojnë rreth 9 milionë fuçi naftë në ditë, ndërsa miliona fuçi të tjera po transportohen përmes rrugëve alternative.
Në total, sipas tij, tregu global po arrin t’i afrohet niveleve të furnizimit që ekzistonin përpara luftës.
Teherani e kundërshton këtë version.
Zyrtarët iranianë vazhdojnë të pretendojnë se kanë kontroll të plotë mbi Ngushticën e Hormuzit.
Por të dhënat e trafikut detar tregojnë një realitet më kompleks.
Ngushtica nuk është plotësisht nën kontrollin e Iranit, por as Shtetet e Bashkuara nuk kanë një kontroll absolut mbi të.
Ajo që duket qartë është se Uashingtoni ka fituar terren në kontrollin praktik të kalimeve detare.
Dhe nëse kjo tendencë vazhdon, pasojat mund të jenë të mëdha.
Sepse Ngushtica e Hormuzit është një nga arteriet më të rëndësishme të energjisë në botë.
Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për një përplasje ushtarake mes SHBA-së dhe Iranit.
Bëhet fjalë për naftën, tregjet globale dhe sigurinë energjetike të miliona njerëzve.
Dhe beteja për Hormuzin po zhvillohet tashmë cisternë pas cisterne, natë pas nate.