Bota
Trump i vendos kushte Iranit: Nuk do nxitohem për marrëveshje, bllokada mbetet në fuqi
Presidenti Trump ka deklaruar se negociatat me Teheranin po ecin në mënyrë “konstruktive”, ndërsa një marrëveshje e mundshme parashikon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe garanci mbi programin bërthamor iranian.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara tha gjithashtu se Uashingtoni nuk do të nxitohet drejt një marrëveshjeje me Iranin, duke theksuar se sanksionet dhe bllokada amerikane ndaj porteve iraniane do të mbeten plotësisht në fuqi deri në arritjen e një dakordësie përfundimtare.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump shkruan se negociatat mes dy vendeve po zhvillohen në mënyrë të rregullt por thekson se administrata e tij nuk ka ndërmend të ushtrojë presion për një marrëveshje të shpejtë.
“Negociatat po ecin në një mënyrë të rregullt dhe konstruktive, dhe unë i kam informuar përfaqësuesit e mi që të mos nxitohen për një marrëveshje pasi koha është në anën tonë. Të dyja palët duhet të marrin kohën e tyre dhe ta bëjnë siç duhet. Nuk mund të ketë gabime! Marrëdhënia jonë me Iranin po bëhet shumë më profesionale dhe produktive”, shkroi Trump.
Ai përsëriti gjithashtu qëndrimin amerikan se Irani nuk duhet të zhvillojë apo të sigurojë armë bërthamore.
Deklarata e Trump vjen një ditë pasi ai tha se një marrëveshje mes SHBA-së dhe Iranit ishte “negociuar gjerësisht” dhe se Ngushtica e Hormuzit pritet të rihapet, duke sinjalizuar mundësinë e uljes së tensioneve pas muajsh konflikti.
Sipas një burimi rajonal të cituar nga CNN, marrëveshja e mundshme mes dy vendeve parashikohet të realizohet në dy faza.
Në fazën e parë, Irani do të rikthejë Ngushticën e Hormuzit në funksionim normal, duke garantuar sigurinë e transportit detar në rajon dhe duke ofruar garanci se nuk do të ndjekë zhvillimin e armëve bërthamore. Në këmbim, Teheranit do t’i lejohet rifillimi i shitjes së naftës dhe karburanteve.
Faza e dytë, e planifikuar të zgjasë nga 30 deri në 60 ditë, do të fokusohet në negociata më të detajuara për programin bërthamor iranian dhe çështje të tjera strategjike mes palëve.
