Bota
TRUMP NIS LUFTEN, GODITET JUGU I IRANIT
Shtetet e Bashkuara kanë nisur një valë të re sulmesh ndaj Iranit, në një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve në Gjirin Persik dhe pranë Ngushticës së Hormuzit.
Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane, CENTCOM, njoftoi se, me urdhër të presidentit Donald Trump, forcat amerikane kanë nisur sulme shtesë kundër Iranit, me qëllim dobësimin e aftësisë së Teheranit për të kërcënuar lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Mediat iraniane të lidhura me shtetin, përfshirë agjencitë Mehr dhe Fars, raportuan shpërthime në disa zona në jug të Iranit, pranë bregdetit të Gjirit. Sipas këtyre raportimeve, shpërthime janë dëgjuar në Bandar Abbas dhe Sirik, ndërsa më pas u raportuan edhe shpërthime pranë Konarakut dhe Chabaharit.
Agjencia gjysmëzyrtare Mehr raportoi se mbrojtja ajrore iraniane është aktivizuar kundër atyre që i përshkroi si “objektiva armiqësore” pranë qytetit portual Bandar Abbas.
Sulmet e reja vijnë pas raportimeve për shpërthime në jug të Iranit dhe pas deklaratave të Uashingtonit se operacionet synojnë të mbrojnë lirinë e lundrimit në një nga korridoret më të rëndësishme detare në botë. Sipas raportimeve ndërkombëtare, Pentagoni i ka lidhur sulmet me incidentet ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit.
Situata mbetet e paqartë, ndërsa deri tani nuk ka një bilanc të konfirmuar për dëme apo viktima nga sulmet e fundit. Tensionet në rajon janë rritur ndjeshëm, ndërsa presidenti Trump deklaroi më herët se armëpushimi me Iranin ka përfunduar
Ushtria amerikane thotë se goditi afërsisht 90 objektiva në të gjithë Iranin në natën e dytë radhazi të sulmeve. Në një postim në X të shoqëruar me një përmbledhje video të sulmeve ajrore, Komanda Qendrore e ushtrisë tha se qëllimi ishte “të degradonte më tej aftësinë e Iranit për të sulmuar anijet tregtare dhe marinarët civilë të pafajshëm në Ngushticën e Hormuzit”.
Objektivat përfshinin sisteme të mbrojtjes ajrore, asete mbikëqyrjeje bregdetare, vende magazinimi raketash dhe dronësh, aftësi detare dhe infrastrukturë logjistike ushtarake përgjatë vijës bregdetare të Iranit.
“Sulmet e fundit vijnë pas ekzekutimit të suksesshëm të sulmeve ofensive në Iran një natë më parë,” tha Centcom.