Aktualitet
Turqi–Greqi/ Goxhaj: Retorikë e fortë, por Athina nuk është gati për luftë
Deklaratat e ashpra mes Athinës dhe Ankarasë nuk tregojnë domosdoshmërisht se dy vendet po shkojnë drejt luftës. Në emisionin “Jashtë Kontrollit”, Dritan Goxhaj i cilësoi zhvillimet si një përshkallëzim politik që mund t’u shërbejë presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis për të zhvendosur vëmendjen nga problemet e brendshme.
Goxhaj iu referua një takimi disaorësh në Athinë ndërmjet drejtuesve të shërbimeve sekrete të Turqisë dhe Greqisë, të zhvilluar pak ditë përpara deklaratave publike. Sipas tij, fakti që përshkallëzimi retorik erdhi pas këtij kontakti ngre mundësinë që palët të jenë duke menaxhuar një shfaqje politike. Ai theksoi se nuk janë raportuar veprime ushtarake konkrete që të dëshmojnë përgatitje për një konflikt të gjerë.
Pjesë e tensionit mbetet çështja e zgjerimit të ujërave territoriale dhe koncepti turk “Mavi Vatan”. Goxhaj kujtoi paralajmërimet e Ankarasë se kalimi nga gjashtë në 12 milje në zona të diskutueshme do të konsiderohej shkak për luftë. Një tjetër pikë përplasjeje, sipas tij, është mundësia që Greqia të vendosë radarë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore në ishuj të pabanuar, sovraniteti i të cilëve kundërshtohet nga Turqia.
Megjithatë, analisti tha se Greqia nuk disponon aktualisht kapacitetet ekonomike dhe ushtarake për një përballje të vetme me Turqinë. Ai përmendi fregatat e porositura në Francë, sistemet e mbrojtjes ajrore dhe avionët F-35, të cilët, sipas tij, do të duan vite për t’u integruar. Goxhaj argumentoi gjithashtu se asnjë vend i NATO-s nuk mund të ndërhyjë lehtësisht në favor të njërës palë, sepse të dyja janë anëtare të Aleancës. Edhe ndërhyrja e Izraelit, sipas tij, do të krijonte një krizë më të gjerë me Turqinë dhe kërkesën për aktivizimin e nenit 5. Për këto arsye, ai pret vijim të retorikës dhe mundësisht incidente të kufizuara, por jo një luftë të plotë.