Politike
U raportua se u shtrua në spital/ Veliaj thyen këmbën duke luajtur Futboll në paraburgim
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka dëmtuar këmbën gjatë një ndeshjeje futbolli në ambientet e ajrimit të paraburgimit të Durrësit, ku ndodhet prej shkurtit të vitit 2025.
Sipas burimeve të cituara nga mediat, incidenti ka ndodhur rreth dy javë më parë. Pas dëmtimit, Veliaj ka marrë kujdes mjekësor në një spital privat në Tiranë, ku ka kryer një ekzaminim dhe këmbën e dëmtuar e ka vendosur në allçi.
Veliaj ndodhet në paraburgim ndërsa ndaj tij vijon procesi gjyqësor. SPAK e akuzon për 13 vepra penale, ndër të tjera korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve në burg. Veliaj i ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij.
Ndërkohë, mbrojtja e tij ka paralajmëruar ndjekjen e çështjes edhe në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Nga paraburgimi, Veliaj vijon të firmosë vendime që lidhen me administrimin e Bashkisë së Tiranës.