Connect with us

Kosova

Vepra për viktimat e luftës së Kosovës zë vendin e parë në ‘Classic FM 2026’

Një projekt i kompozitorit Sir Karl Jenkins, që pasqyron tmerrin dhe tragjedinë e luftës në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, ka zënë vendin e parë në sondazhin më të madh vjetor të muzikës klasike në botë.
“The Armed Man: A Mass for Peace” është shpallur vepra më e pëlqyer në Classic FM Hall of Fame 2026, pas afro 90 mijë votash nga publiku. Rezultati u bë i ditur nga prezantuesi Dan Walker.
Kompozitori 82-vjeçar e cilësoi këtë arritje si “kënaqësi të madhe”, duke u bërë kompozitori i parë i gjallë që arrin vendin e parë në këtë sondazh.
Në një intervistë për BBC Radio Wales, ai u shpreh me humor se “është më mirë ta marrësh çmimin sa je gjallë, sesa pasi të kesh vdekur”.
Kjo vepër korale, e krijuar në vitin 2000 dhe e dedikuar viktimave të Luftës në Kosovë, pasqyron dhimbjen dhe shkatërrimin që konflikti i shkaktuar nga Serbia la pas në Kosovë.
Sipas Classic FM, mesazhi i saj mbetet aktual edhe sot, në një kohë tensionesh globale. Kjo është hera e parë që një vepër korale renditet në vendin e parë që nga nisja e sondazhit në vitin 1996.
Ndryshe, gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë. Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë. Sa i përket përkatësisë etnike, 10 mijë e 794 ishin shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, ndërsa të tjerët i përkisnin komuniteteve të tjera.
Një plagë tjetër e kësaj periudhe janë edhe rreth 1 mijë e 600 persona të pagjetur, kryesisht shqiptarë. Ndërkaq, në përfundim të misionit të tij, Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi rekomandoi që vendet e ish-Jugosllavisë, përfshirë Kosovën, t’i hetojnë dhe trajtojnë krimet e kryera në territorin e tyre.

Advertisement