Bota
“Vetëm çështje kohe”/ Izraeli kërcënon me goditje të reja ndaj Iranit
Izraeli paralajmëron se një raund i ri sulmesh ndaj Iranit mund të jetë vetëm çështje kohe, ndërsa tensionet për programin bërthamor të Teheranit vijojnë të mbeten të larta.
Një zyrtar izraelit, i cituar nga media saudite “Al-Hadath”, pretendon se Irani po përpiqet të riaktivizojë dhe të forcojë infrastrukturën e programit të tij bërthamor, në pritje të një goditjeje të mundshme. Sipas tij, Izraeli po monitoron veçanërisht aktivitetin në “Pickaxe Mountain”, një kompleks nëntokësor pranë objektit bërthamor të Natanzit.
Të dhënat satelitore të analizuara nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare tregojnë një rritje të ndjeshme të aktivitetit ndërtimor në këtë zonë gjatë vitit 2026. Analiza evidenton forcimin e hyrjeve të tuneleve, punime në rrugët e brendshme dhe përforcime të infrastrukturës. Megjithatë, analiza nuk mund të konfirmojë nëse Irani ka zhvendosur centrifuga ose materiale të tjera bërthamore brenda kompleksit.
Zyrtari izraelit deklaroi se Izraeli është i gatshëm të godasë përsëri objektet bërthamore iraniane nëse Teherani kalon ato që Izraeli i konsideron “vija të kuqe”. Sipas tij, një veprim i tillë mund të ndërmerret në koordinim me Shtetet e Bashkuara ose në mënyrë të pavarur.
Ndërkohë, çështja e “Pickaxe Mountain” është bërë një nga pikat kryesore të tensionit mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Presidenti Donald Trump ka paralajmëruar më herët se SHBA mund ta godasë këtë kompleks nëse aktiviteti iranian vijon, ndërsa analizat tregojnë se objekti ndodhet thellë nën tokë dhe është projektuar me masa të konsiderueshme fortifikimi.
Teherani i ka kundërshtuar akuzat për aktivitet të ri bërthamor në këtë zonë, duke i cilësuar raportimet si të pabaza.
Në planin diplomatik, tensionet mbeten të larta edhe për shkak të vështirësive në negociatat amerikano-iraniane. Ndërkohë, Uashingtoni ka shtuar presionin ekonomik ndaj Teheranit përmes sanksioneve që prekin edhe sektorin e aviacionit. Si pasojë, disa vende të rajonit kanë kufizuar shërbimet për kompanitë ajrore iraniane, ndërsa transporti ajror i Iranit është përballur me anulime dhe kufizime të reja.
Përplasja mes presionit ekonomik, aktivitetit të dyshuar në objektet nëntokësore dhe kërcënimeve për një tjetër ndërhyrje ushtarake e mban të hapur rrezikun e një përshkallëzimi të ri në Lindjen e Mesme