Shkrime
YLLI MANJANI: VEZET DHE PULAT E REVOLUCIONIT
Po mirë, çfarë duhet të ndodhë që të pranohet se kemi të bëjmë me dhunë? Të hidhen bomba? Të ketë viktima? Apo dhuna fillon të quhet e tillë vetëm kur është tepër vonë për ta ndalur?
Kjo është logjika më e rrezikshme që po normalizohet në debatin publik. Dhuna nuk matet me llojin e objektit që mban në dorë agresori. Dhuna matet me aktin e sulmit ndaj një tjetri.
E kuptoj se në një mjedis ku katër nga pesë fjalë janë sharje, bëhet e vështirë të dallosh dhunën verbale. E kuptoj edhe se në një klimë ku flitet më shumë për vdekje sesa për jetë, intimidimi, linçimi publik dhe bullizmi kolektiv duken si pjesë normale e peizazhit.
Por ekziston një kufi që nuk ka nevojë për interpretim.
Kur ndjek fizikisht një njeri dhe e godet me sende që mban në dorë, ajo quhet dhunë fizike. Nëse sendi është më i rrezikshëm, pasoja bëhet më e rëndë. Kur përdoren armë, futemi në sferën e krimit. Kështu funksionon shkalla e dhunës.
Prandaj, gjuajtja me vezë, me shishe apo me ujë nuk është humor. Nuk është performancë. Nuk është protestë artistike. Është dhunë fizike. Më e lehtë se format e tjera, por sërish dhunë.
Përballë dhunës, shteti ka detyrimin të reagojë. Disa persona u shoqëruan në polici dhe, deri këtu, nuk ka asgjë jashtë ligjit. Përkundrazi, problemi ishte diku tjetër: policia reagoi pasi ndodhi sulmi, jo për ta parandaluar atë. Pra ishte korrekte në procedurë, por jo aq efektive në përmbushjen e misionit të saj kryesor: parandalimin.
Madje, po bëhet shqetësuese paaftësia për të ndalur në kohë edhe sulmet ndaj pronës private. Kjo krijon një ndjenjë pasigurie që mund t’i shtyjë njerëzit drejt vetëmbrojtjes dhe, në fund, drejt vetëgjyqësisë. Historia ka treguar se aty fillojnë tragjeditë.
Por më e çuditshmja është logjika morale që po ndërtohet.
Nëse je protestues, paske të drejtë të dhunosh.
Nëse je polic, zyrtar apo thjesht një qytetar që gjendet aty, nuk paske të drejtë as të mbrohesh, as të reagosh.
Ky standard nuk është demokraci. Është privilegj i dhunës.
Shoqëria nuk mund të funksionojë mbi këtë parim.
Rregulli është i thjeshtë dhe i vjetër sa vetë qytetërimi: po shave, do të shahesh; po dhunove, do të përballesh me forcën e ligjit; po vrave, do të dënohesh. Nuk ka rëndësi nëse e quan veten protestues, revolucionar apo aktivist. Ligji nuk pyet për sloganin që mban në dorë.
Që nga parimi i Talionit e deri te shteti modern i së drejtës, një gjë nuk ka ndryshuar: dhuna sjell reagim. Ndryshimi është se shteti modern përpiqet ta zëvendësojë hakmarrjen me ligjin. Pikërisht për këtë ekziston policia dhe drejtësia.
Detyra e shtetit është të pengojë përplasjen e njeriut me njeriun.
Sepse kaosi i përplasjes mes njerëzve është forma më e egër e dhunës. Edhe kur shteti gabon me disproporcionalitet, ai mund të kontrollohet, të gjykohet dhe të dënohet. Kaosi nuk dënohet dot. Ai paguhet me plagë, me jetë dhe me shkatërrimin e besimit shoqëror.
Prandaj, nëse duam të shmangim atë pikë pa kthim, duhet të refuzojmë normalizimin e çdo akti dhune, sado i vogël të duket.
Veza e hedhur nga “pulat e revolucionit” nuk është ushqim. Është simboli i një kulture politike që kërkon të zëvendësojë argumentin me poshtërimin, debatin me sulmin dhe ligjin me turmën.
Dhe historia na ka mësuar se revolucionet që fillojnë me vezë, rrallë mbarojnë vetëm me to.