Kronike
Vrasja e turistit në Ksamil/ Lala zbardh prapaskenat: Konflikti dyshohet se nisi për një vajzë
Gazetarja e njohur e kronikës Klodiana Lala ka bërë publike detaje të reja nga hetimet për vrasjen e turistit portugez Luis Miguel Varela Mendes, 20 vjeç, pas konfliktit të ndodhur në kompleksin “Principotes” në Ksamil.
Sipas Lalës, hetimet janë ende në zhvillim dhe mund të ketë masa të tjera ndaj personave që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në ngjarje.
Gazetarja deklaroi se konflikti dyshohet se ka nisur gjatë një feste në kompleks, ku viktima ndodhej së bashku me disa miq. Shkak i përplasjes, sipas të dhënave të deritanishme të hetimit, dyshohet se është bërë një debat për një vajzë shqiptare.
Në konflikt, sipas Lalës, është përfshirë edhe Sokrat Vata, 29-vjeçari i arrestuar si i dyshuar për vrasjen. Gazetarja raportoi se Vata kishte mbetur i plagosur gjatë përleshjes dhe më pas dyshohet se ka goditur për vdekje me thikë turistin portugez.
Ajo përmendi gjithashtu përfshirjen në dinamikën pas ngjarjes të efektivit të policisë Moisid Matushaj, i cili sipas raportimeve punonte edhe pranë biznesit.
Pas ngjarjes, Vata u largua nga Ksamil dhe u kap disa orë më vonë në zonën Levan–Fier, i fshehur në bagazhin e një automjeti ku ndodheshin dy shtetas turq.
Por sipas Klodiana Lalës, hetimi nuk përfundon me arrestimin e 29-vjeçarit. Ajo tha se priten zhvillime për persona të tjerë dhe se po verifikohen përgjegjësitë e personave të lidhur me biznesin ku ndodhi ngjarja.
Ndërkohë, është raportuar se Bekim Bulica, i lidhur me kompleksin “Principotes”, është shpallur në kërkim nga Policia, ndërsa po hetohet roli i tij në ngjarje dhe në atë që ka ndodhur pas konfliktit.
Ngjarja e rëndë, e ndodhur në një prej zonave turistike më të frekuentuara të vendit në kulmin e sezonit veror, ka ngritur gjithashtu pikëpyetje mbi sigurinë dhe kontrollin në strukturat turistike.
Lala theksoi se raste të tilla godasin drejtpërdrejt edhe imazhin turistik të Shqipërisë dhe kërkojnë vigjilencë më të madhe nga strukturat policore në zonat bregdetare.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar dinamikën e plotë të ngjarjes, përgjegjësitë individuale dhe personat e tjerë që mund të kenë pasur rol në konflikt apo në veprimet pas vrasjes.