Connect with us

Aktualitet

“Vrasja në Ksamil dëshmon kriminalizimin e shoqërisë, ekonomisë dhe shtetit”/ Kikia: Rojet private nuk janë polici

Gazetari Mentor Kikia ka reaguar ashpër pas vrasjes së turistit të huaj 20-vjeçar në Ksamil, duke e konsideruar ngjarjen jo thjesht si një krim të rëndë, por si tregues të një problemi shumë më të gjerë.

Në një qëndrim në Facebook, Kikia ngre pikëpyetje mbi modelin e turizmit që po zhvillohet në disa prej zonave bregdetare, rolin e kompanive private të sigurisë dhe lidhjen mes strukturave të rendit dhe punës private si truproja.

“Për çfarë duhen badigardët në një plazh?”, pyet Kikia, duke argumentuar se në rast të incidenteve në lokale, detyra e sigurimit privat duhet të kufizohet në nxjerrjen jashtë të personit problematik dhe njoftimin e Policisë kur situata bëhet e dhunshme.

“Rojet private nuk janë policë!”, thekson ai.

Kikia ndalet edhe te raportimet se një punonjës policie, i angazhuar jashtë detyrës si truproje, dyshohet se ka ndihmuar pas ngjarjes, si dhe te raste të tjera të raportuara në Sarandë ku efektivë policie kanë punuar si sigurim privat në lokale nate.

Ai kërkon gjithashtu përgjigje mbi kriteret e rekrutimit të punonjësve të kompanive të sigurisë, duke iu referuar raportimeve mediatike për të shkuarën penale të personit të akuzuar për vrasjen.

Sipas Kikisë, problemi shkon edhe më tej, te mënyra se si krijohen dhe funksionojnë struktura të caktuara ekonomike.

“Pas luksit dhe shkëlqimit ekonomik shpesh qëndrojnë para të dyshimta”, shkruan gazetari, duke kërkuar kontrolle më të forta financiare, administrative dhe ligjore.

Për të, forca e shtetit nuk matet vetëm me arrestimin e autorit pas krimit, por me aftësinë për të ngritur mekanizma që parandalojnë kriminalizimin e ekonomisë, sigurisë private dhe vetë institucioneve.

“Shtet i fortë do të thotë mekanizma kontrolli financiar, administrativ, ekonomik e ligjor, që të frenojë tërë këtë shkallë kriminalizimi”, përfundon Kikia.

 

Advertisement