Kronike
Vrau dy basketbollistët e Skënderbeut/ Anëtar i bandës së “Çobenjve” drejt lirimit?
Një prej ngjarjeve më të rënda kriminale të dy dekadave të fundit në Korçë, vrasja e dy basketbollistëve të ekipit të “Skënderbeut”, ka marrë një rrjedhë të papritur. Gjykata e Shkallës së Parë në Elbasan ka vendosur të ndryshojë masën e dënimit për Damiano Toshin, anëtar i bandës së “Çobenjve”, duke e dënuar atë përfundimisht me 25 vite burgim.
Ulja e dënimit erdhi si rrjedhojë e pranimit të kërkesës për gjykim të shkurtuar. Vendimi u mor pas një procesi rigjykimi, të urdhëruar nga Gjykata e Lartë, e cila më herët kishte prishur vendimin e formës së prerë për burgim të përjetshëm duke e kthyer dosjen për shqyrtim nga e para. Ky vendim rrëzon dënimin e mëparshëm me burgim të përjetshëm, duke hapur rrugën për lirimin e Toshit pas përllogaritjes së kohës së qëndrimit në burg.
Si ndodhi ngjarja ?
Damiano Toshi u shpall fajtor për vrasjen e dy basketbollistëve të ekipit të “Skënderbeut”, Sokol Jahollari dhe Rafael Rizani, si dhe për plagosjen e Julian Beckës. Krimi i rëndë ndodhi më 3 shtator 2004, në afërsi të Pallatit të Sportit në Korçë, duke tronditur opinionin publik të asaj kohe.
Ndërkohë, autoritetet e burgjeve po kryejnë përllogaritjet për kohën e vuajtur nga Toshi deri më tani. Nëse rezulton se i dënuari ka shlyer periudhën e re të caktuar nga gjykata, ai pritet të lirohet, duke i dhënë fund një beteje ligjore që ka zgjatur më shumë se 20 vite.