Aktualitet
Zgjerimi i mbikalimit të Rinasit, bllokohet natën e 6-7 gushtit autostrada Tiranë-Durrës
Drejtuesit e mjeteve që do të udhëtojnë në autostradën Tiranë-Durrës gjatë netëve të 6 dhe 7 gushtit duhet të llogarisin ndryshime të përkohshme në qarkullim, për shkak të punimeve që po zhvillohen në kuadër të zgjerimit të këtij aksi rrugor.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë të ditur se nga ora 00:00 deri në 04:30 do të kryhet vendosja e trarëve metalikë të mbikalimit të ri të Kasharit. Për të garantuar zhvillimin e sigurt të punimeve, do të bllokohen dy korsitë e autostradës në drejtimin Durrës-Tiranë.
Gjatë kësaj kohe, automjetet që vijnë nga Durrësi me destinacion Tiranën, Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe Kosovën do të devijohen përmes rampave të autostradës Thumanë-Kashar.
Sipas planit të menaxhimit të trafikut, mjetet që udhëtojnë drejt aeroportit dhe Kosovës do të vazhdojnë lëvizjen në aksin Kashar-Thumanë, ndërsa drejtuesit e mjeteve me destinacion Tiranën do të orientohen nëpërmjet sinjalistikës së përkohshme drejt rrugës dytësore, për t’u rikthyer më pas në autostradë pas mbikalimit të Kasharit.
ARRSH u bën thirrje qytetarëve të planifikojnë lëvizjet e tyre duke marrë parasysh këto kufizime të përkohshme dhe kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve, bizneseve dhe banorëve të zonës deri në përfundimin e punimeve.
“Në vijim të realizimit të punimeve për ndërtimin e objektit:“Zgjerimi i Superstradës Tiranë-Durrës (Faza III)”, është i nevojshëm zbatimi i Planit të Menaxhimit të Trafikut.
Gjatë këtij intervali, trafiku që lëviz nga Durrësi në drejtim të Tiranës, Aeroportit “Nënë Tereza” dhe Kosovës do të devijohet në rampat e autostradës Thumanë-Kashar.
Mjetet me destinacion Aeroportin dhe Kosovën do të vijojnë lëvizjen në autostradën Kashar-Thumanë, ndërsa automjetet me destinacion Tiranën do të orientohen me sinjalistikën e përkohshme në rrugën dytësore duke u rikthyer në autostradën Durrës–Tiranë pas mbikalimit të Kasharit.
Kërkojmë mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve, bizneseve dhe banorëve të zonës për këtë ndërhyrje.”, njofton ARRSH.
