Connect with us

Aktualitet

Zjarret nuk ndalen/ 7 vatra aktive, ushtria dhe avionët në betejë me flakët

Shtatë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në territorin e vendit, ndërsa tre të tjera janë nën monitorim. Të dhënat janë bërë publike nga Ministria e Mbrojtjes, e cila raporton se situata po mbahet nën kontroll dhe se aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Deri në orën 20:00 të 17 gushtit janë regjistruar 13 vatra zjarri. Në operacionet për shuarjen e tyre janë angazhuar 424 forca operacionale dhe 14 automjete zjarrfikëse. Në terren kanë dalë edhe Forcat e Armatosura, me 129 efektivë, 2 automjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Malin e Dajtit, operacioni vijon me forca në terren dhe mbështetje ajrore. Sipas Ministrisë, nuk ka rrezik për zonat e banuara. Priska është nën kontroll dhe në monitorim, ndërsa zjarri në Vakumone është izoluar.

Situatë aktive paraqitet edhe në Gurë-Lurë, ku janë angazhuar forca bashkiake, të Policisë dhe të Forcave të Armatosura, së bashku me dy avionë Air Tractor. Hapja e korridoreve ka penguar përhapjen e flakëve drejt banesave.

Qafë Helmës, zjarri është shuar nga krahu i Bulqizës, ndërsa mbetet aktiv në drejtim të Selishtës. Operacione po zhvillohen edhe në Bruç të Matit, Lufaj dhe Fushë-Lajë të Pukës.

Ndërkohë, vatra në Rrjoll është shuar plotësisht.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë vendin, ndërsa strukturat operacionale mbeten në gatishmëri, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

Advertisement