Shkrime
Unë dua të di përse ndodhin këto krime në Shqipëri
Meri Lika
Në fakt unë nuk dua të di a ndodhin në botë këto krime, unë nuk dua të di a ndodhin në Amerikë, unë po ashtu nuk dua të di a bëhen filma për to, unë dua të di përse ndodhin këtu.
Unë jam nënë dhe në shpirtin tim ka tre ditë që më godet pa pushim një ndjenjë frike, pasigurie, paaftësie, pamundësie dhe një dhimbje e madhe e cila më ka pushtuar nga momenti që mora vesh lajmin për vrasjen e vogëlushes në bregun e detit. Unë jam nga Vlora, jam rritur pranë detit, atëherë kur nuk kishte jahte, skafe e gomone dhe kam notuar në thellësitë e tij pa frikë, e mbushur me dëshirën për të përfshirë në krahët e mi, që përplaseshin, një hapësirë të pafund por dhe me dëshirën që njëjtë të më përfshinte edhe ajo hapësirë mua.
Sa herë jam zhytur në të, fëmijë por edhe tani, kurrë nuk kam menduar se Deti është një anarshi pa rregulla, pa ligje, pa vija të bardha, pa polic që të gjobit. Asnjëherë nuk e kam menduar detin si një hapësirë të çoroditur njëjtë si shoqërinë që kemi ndërtuar dhe po ndërtojmë ne jetëshkurtërit dykëmbesh.
Deti nuk ka nevojë për qeveri, as për polic, as për sinjalistikë, as për inçeneratorë, madje as për matrapazë e sahanlëpirës që shesin veten dhe prindërimin për disa kacidhe të përlyera. Deti nuk ka nevojë për asnjë nga rregullat tona, sepse Zoti e krijoi botën, ku bën pjesë edhe deti, në një balancë perfekte.
Deti është aty që t’i japë femijës kënaqësinë e pllaquritjes në breg, ai me shumë dashuri të jepë mundësinë për të përvetësuar një aftësi të re, notin, dhe me të të mundesh ta zotërosh.
Por, vogëlushen nuk e lanë të hynte në përhumbjen e magjishme të përfitimit të kësaj aftësie, që vetëm deti di të ta japë.
Atë e vrau një polic! Njëjtë si vrau Klodian Rashën. E vrau një punonjës i shtetit i cili paguhet që të të mbroj, paguhet që jeta jonë dhe e fëmijëve tanë të jetë e sigurt, e qetë, o Zot doja të thoja edhe e lumtur por nuk mund sepse lumturia është shumë larg prej asaj që ne përjetojmë çdo ditë.
Ndodhin edhe në botë krime të tilla? Ndodhin edhe në Amerikë?
O po e vërtetë që mund të ndodhin por këto gjallesat e matrapazuara që na tregojnë botën, nuk na thanë se çfarë ndodh në botë pasi ndodhin këto lloj krimesh!
Në fakt unë nuk dua të di a ndodhin në botë këto krime, unë nuk dua të di a ndodhin në Amerikë, unë po ashtu nuk dua të di a bëhen filma për to, unë dua të di përse ndodhin këtu.
Unë dua të di përse nuk më sigurohet jeta?
Unë dua të di përse nuk kam shëndetësi falas?
Unë dua të di përse më vidhen taksat?
Uën dua të di përse më vidhet puna?
Unë dua të di përse më vidhet e ardhmja e fëmijës?
Unë dua të di përse më vidhet idenditeti?
Unë dua të di përse më vidhet shteti?
Uën dua të di përse më vidhet kombi?
Unë dua të di përse më vidhet e drejta?
Unë dua të di përse më vidhet xhepi?
Unë dua të di përse më vidhet dinjiteti?
Unë dua të di përse më shitet politikani?
Uën dua të di përse më drejton i paafti?
Unë dua të di përse më komandon i huaji?
Unë dua të di përse më vështirësohet jeta?
Unë dua të di përse më vidhet vota?
Unë dua të di përse më mohohet e vërteta?
Unë dua t’i di të gjitha këto.