Aktualitet
Është zhvilluar sot seanca në GJKKO për vrasjen e babë e bir Gentian e Nezir Beqirit në Elbasan në 2012. Gazetari Ermal Vija raporton se i penduari i drejtësisë Ervis Bardhi teksa iu është përgjigjur pyetjeve të avokatëve të Ardian Çapjes, ka treguar detaje për takimet që ka bërë me Ardian e Florenc Çapjan, derisa mori porosinë për ekzekutimin e babë e bir.
Gjatë seancës ai tregoi si ishte takuar tek rrugica e shtëpisë dy herë me Ardian dhe Florenc Capjan.
“Herën e tretë u takuan në Kërrabë”. Në këtë takim ata i kishin thënë se Gentiani duhet vrarë.
Edhe në seancën e mëparshme Bardhi dha detaje për njohjen me Gentian Beqirin në qelitë e burgut të Peqinit, në krijimin e miqësisë me të dhe vizitat e herëpashershme në shtëpinë e Beqirit, marrjen e porosisë për ekzekutimin e tij nga Ardian e Florenc Capja deri në ditën e ekzekutimit.
Deklarimet e tij para gjykatës Ervis Bardhi e nisi duke i kërkuar ndjesë nënës së Gentian Beqirit. Ai ka theksuar se Etjen Canin dhe Olsi Lekun i ka njohur pasi i kishte çuna të lagjes. Ndërsa për Gentian Beqirin e ka njohur gjatë kohës kur ai ishte arrestuar në 2010 kur ishte duke shlyer dënimin me 8 muaj burg për armë mbajte pa leje. I penduari thekson se nuk e njihte nga afër Gentianin por që e ka takuar nëpërmjet personave të tjerë që ndodheshin në burgun e Peqinit.
Ngjarja që tronditi opinionin publik ndodhi nën hundën e Policisë, ndërkohë që Çapjan nuk e pranuan asnjëherë të jenë ata autorët e asaj ngjarjeje të rëndë. Në këtë çështje, pretendohet se personi që ka marrë pjesë direkt në vrasje, Ervis Bardhi, është penduar për krimin e kryer duke vendosur të bashkëpunojë dhe të flasë, duke treguar gjithçka ka ndodhur ditën e vrasjes.

