Kosova
Dosja e vettingut në drejtësi dorëzohet në Kuvend
Dosja e vettingut në drejtësi do t’i dorëzohet sot kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Kështu thanë gjatë një konference të përbashkët për media sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Vettingu është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë. Sipas Haxhiut, dokumentet e dosjes janë “në përputhje të plotë më rekomandimet që kanë dalur nga Komisioni i Venecias”.
“Reforma në drejtësi mundëson që në sistem të mbeten vetëm ata që kanë integritet të lartë moral dhe profesional dhe që pasurinë e tyre mund ta justifikojnë”, tha ajo.
Kurti tha se pas konferencës do ta takojnë Konjufcën për t’ia dorëzuar këtë dosje. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë konferencës për media më 18 qershor 2022. Qeveria e Kosovës, më 13 tetor, kishte miratuar koncept-dokumentin për vettingun në drejtësi përmes së cilit synohet të forcohet sundimi i ligjit.
Vettingu me ndryshime Kushtetuese kërkon dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës më herët kishin thënë se Kosovës i duhet vetting sistematik në drejtësi. Ndërkaq Komisioni Evropian kishte kritikuar planin e Qeverisë së Kosovës për të bërë vetting “të njëhershëm të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve”, duke thënë se ky do të ishte “burim serioz i shqetësimit”./ REL