Connect with us

Kosova

Stabiliteti i Ballkanit lëviz diplomacinë e Bosforit

Stabiliteti i Ballkanit lëviz diplomacinë e Bosforit, Erdogan viziton Serbinë

Stabiliteti i Ballkanit është në zemër jo vetëm të Evropës por dhe Turqisë.
Dhe Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e kujtoi me fjalë dhe vepra gjatë vizitës së tij në Beograd ku takoi kreun e shtetit serb Aleksander Vuçiç dhe teksa deklaroi:

“Kur është fjala për Kosovën dhe Serbinë, ne  jemi të gatshëm të japim mbështetje në çdo mënyrë. Kemi parë zhvillime pozitive dhe shpresoj që të ketë një përshpejtim të konsiderueshëm sepse Ballkani nuk mund të tolerojë më një situatë të tillë.”

Erdogan shprehu shpresën se marrëveshja e fundit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës për dokumentet e udhëtimit mund të shkojë në drejtim të stabilitetit. Mosmarrëveshja u zgjidh me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Mbetet problemi i targave, i cili doli në pah më 1 shtator dhe edhe në këtë rast ende shpresohet të arrihet një marrëveshje.

Në plan të dytë mbetet pavarësia e shpallur e Kosovës në vitin 2008, diçka që Beogradi nuk ka ndërmend ta njohë ashtu siç e kanë njohur shumica e vendeve të bashkësisë ndërkombëtare.
Aleksander Vuçiç, megjithatë, siguroi përkushtimin serb për stabilitetin e rajonit.
“Ne folëm për probleme të rëndësishme, për stabilitetin e rajonit, për rëndësinë e ruajtjes së paqes dhe nënvizuam nevojën për të ruajtur integritetin e Bosnjë-Hercegovinës në përputhje me marrëveshjet e Dejtonit që parashikojnë Republikën Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë.”

Vuçiç tha gjithashtu se kanë diskutuar edhe për një bashkëpunim më të madh ushtarak. Ai ka përsëritur se Serbia dëshiron të blejë dronë turq “Bajraktar”.

“Shpresoj se do të mund të arrijmë diçka vitin tjetër. Ne jemi të gatshëm të paguajmë më shumë para” – tha Vucic

Ai po ashtu i ka kërkuar presidentit turk që t’i ndihmojë në sigurimin e energjisë elektrike nga Azerbajxhani në Serbi.

Turqia merr pjesë dhe financon ndërtimin e autostradës që lidh Beogradin me Prishtinën.

Kompletimi i infrastrukturës është gjithashtu pjesë e dëshirave të Brukselit, i cili monitoron nga afër rajonin.
Konflikti ukrainas ka rritur nevojën për të stabilizuar Ballkanin Perëndimor. Këtë të premte, i dërguari special i Bashkimit Evropian do të jetë në Prishtinë.
Ndalesa e Erdoganit në Beograd është pjesë e një udhëtimi më të madh në rajonin e Ballkanit, të martën ai ishte në Bosnje dhe të enjten do të jetë në Kroaci për të inauguruar një xhami.

Advertisement