Connect with us

Aktualitet

Sulm kibernetik/ Rikthehet sistemi TIMS në Kapshticë

Pas më shumë se 24 orësh bllokim, është rikthyer sistemi TIMS në pikën kufitare të Kapshticës.

Lajmi është konfirmuar nga Drejtoria e Policisë  së Korçës.

Problemet me sistemin TIMS në Kapshticë u raportuan mbrëmjen e 9 shtatorit.

Për shkak të problemeve u punua me regjistra në mënyrë manuale për të regjistruar hyrjet dhe daljet.

Sulmi ndaj sistemit TIMS ka qenë ne disa faza, e cila kulmoi me atë të orës 23:13 minuta të datës 9 duke nxjerrë gjithçka jashtë kontrollit, ndërsa aksesi i iranianëve te kamerat e sigurisë së Rinasit është një cenim i sigurisë kombëtare.

Sulmi mbi sistemin TIMS

TIMS është sistemi që rregullon hyrje-daljet në Republikën e Shqipërisë dhe përbën thelbin e kontrollit kufitar të vendit. Gjatë mbrëmjes së djeshme janë raportuar probleme me këtë sistem si edhe shtim të radhëve të qytetarëve nga brenda dhe jashtë kufirit të Shqipërisë për shkak të një problem në sistemin TIMS, i cili fillimisht nuk u kuptua se përse ndodhi.

Në lidhje me këtë sulm reagoi edhe kryeministri Rama, i cili tha se burimi i tij ishte nga Irani dhe se qeveria po bashkëpunon me partnerët për të mundësuar shërbimin dhe rikthimin në punë të sistemit TIMS.

Nuk dihet ende nëse iranianët kanë patur apo jo akses në këtë sistem,  i cili edhe nga vetë policia administrohet me akses të kufizuar. Madje, çdo punonjës policie që futet dhe kërkon për lëvizjet një qytetari të caktuar në atë sistem, lë gjurmë.

Hakmarrje?

Gjithçka ndodhi pak ditë pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike me Iranin pasi u konfirmua se sulmi kibernetik i verës ndodhi pikërisht nga organizma të këtij shteti. Qeveria shqiptare njoftoi përmes një letre Iranin për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike mes shtetit shqiptar dhe Republikës Islamike të Iranit.

Diplomatëve dhe punonjësve të ambasadës iu dhanë 24 orë kohë për t’u larguar, ndërsa më pas në ambientet e saj u futën Forcat Speciale RENEA për të bërë kontrollin e godinës. Pamjet bënë xhiron e botës për shkak të faktit se ishte një rast i rrallë kur forcat speciale futen në një ambasadë.

MEK

Shqipëria është bërë objektiv i Iranit pas pranimit të muxhahedinëve të MEK në vendin tonë 10 vite më parë. Ky grupim i vendosur në Manzë konsiderohet si kundërshtar i regjimit të Iranit dhe janë në një luftë të ashpër me njeri-tjetrin për revolucionit islamik të vitit 1979. Fillimisht ata ishin me qendrim në Irak por pas sulmeve të vazhdueshme nga milicët e mbështetur nga Irani janë transferuar në Shqipëri.

Sistemi vulnerabël

Ashtu siç theksoi edhe Microsoft dy ditë më parë në raportin e tij mbi sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë, hakerat iranianë kanë gjetur të çara në sistemin e mbrojtjes së vendit duke bërë që ta kenë të lehtë të hyjnë dhe të dalin disa herë nga sistemi, momente gjatë të cilave kanë marrë shumë materiale.

Marrja e të dhënave është dëmi më i madh që ky sulm i ka bërë Shqipërisë, gjë e cila është mohuar nga qeveria deri më tani. AKSHI është një ndër institucionet që ka thithur sasi të mëdha parash nga buxheti i shtetit, të cilat duket qartë se nuk janë menaxhuar mirë duke e bërë vendin vulnerabël ndaj sulmeve nga jashtë. 

Advertisement