Bota
Putin në gjendje të rëndë, sëmuret gjatë fjalimit
Skenat e kaosit dhe ndërhyrjes së mjekëve para fjalimit të Vladimir Putin për rekrutim të pjesshëm në Rusi u filmuan shtatë muaj pas fillimit të luftës në Ukrainë, sipas një kanali Telegram që dyshohet se i përkiste një ish-punonjësi të Kremlinit.
Sipas kanalit General SVR në Telegram, Vladimir Putin, përpara se të qëndronte para kamerës për të regjistruar fjalimin e tij, kishte një kollë të fortë dhe dhimbje gjoksi, si pasojë e të cilave u thirrën mjekët.
“Kur Presidenti Putin përgatiti fjalimin e tij dhe filluan përgatitjet për xhirimet, ai filloi të kollitej. Për shkak të kollitjes u anuluan disa përpjekje për të filluar xhirimet. Pas përpjekjes së katërt të pasuksesshme për të incizuar fjalimin, u thirrën mjekë të cilëve Vladimir Putin u ankua për dhimbje gjoksi”.
Sipas të njëjtit burim, mjekët rekomanduan shtyrjen e regjistrimit dhe sugjeruan që Putini t’i nënshtrohej testeve, të cilat ai i bëri. Kujtohet se informacionet fillestare i referoheshin një fjalimi të Putinit të martën mbrëma, por kjo u shty për të mërkurën në mëngjes.
Autori i postimit në Telegram pohon gjithashtu se “sipas një grupi njerëzish në rrethin e brendshëm të Putinit, presidenti rus përmendi një problem shëndetësor në mënyrë që të riplanifikojë regjistrimin dhe të rishqyrtojë vendimin e tij”.
Njerëzit e afërt me presidentin e Rusisë janë të vetëdijshëm për zvarritjen patologjike të Putinit në vendimmarrje dhe pasigurinë që ai posedon kur bëhet fjalë për marrjen e vendimeve kyçe. Muajt e fundit ka pasur disa publikime dhe dalje publike nga Vladimir Putin të cilat kanë nxitur thashethemet për gjendjen shëndetësore të presidentit rus para dhe gjatë pushtimit të Ukrainës.
Presidenti rus më në fund mbajti fjalimin e shumëpritur, por në vend që t’i jepte një gur tjetër përfundimit të armiqësive, ai shkatërroi çdo urë që mund të ishte ndërtuar. Ai shpalli një mobilizim që do të thotë se po hedh në fushëbetejë edhe 300 mijë rezervistë të tjerë rusë, po vendos armët bërthamore në tryezë duke folur për “shantazh bërthamor të Perëndimit” dhe në të njëjtën kohë ngriti një gisht tjetër duke thënë qartë se do të përdorë çdo arme në arsenalin e Rusisë, nëse ndihet i kërcënuar. Në fakt ai është kujdesur që kërcënimin e tij ta shoqërojë me shprehjen “nuk po bëj bllof”, duke dashur kështu të tregojë se është i vendosur për lëvizjet e tij të radhës.