Rajon
Serbia rrezikon ngrirjen e negociatave me BE
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Nikola Selakoviç, deklaroi se Serbia nuk mund të pranojë rezultatet e referendumit në rajonet e Ukrainës pasi do të ishte në kundërshtim me interesat shtetërore dhe kombëtare të Serbisë.
Në katër rajone të Ukrainës, që pjesërisht kontrollohen nga Rusia, po mbahen referendumet e rreme ruse, që kanë nisur më 23 shtator dhe do të vazhdojnë deri më 27 shtator. Ky veprim konsiderohet i paligjshëm sipas Ligjit ndërkombëtar dhe është dënuar nga Ukraina, Perëndimi dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Shefi i diplomacisë serbe, tha po ashtu se në margjinat e seancës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Serbia dhe Rusia nënshkruan Planin për Konsultime për dy vitet e ardhshme.
Ky është dokumenti i parë diplomatik i nivelit të lartë që Serbia dhe Rusia kanë nënshkruar që nga 24 shkurti, kur filloi pushtimi rus i Ukrainës.
Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Vladimir Bilçik, ka deklaruar se lajmi për nënshkrimin e marrëveshjes është një goditje të madhe për procesin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor.
Deputetja e Parlamentit Evropian, Viola von Kramon, vlerësoi se ky mund të jetë sinjal për ngrirjen e negociatave për anëtarësim në BE, sepse sipas saj, hyrja në bllok nuk bëhet përmes Moskës.
Serbia është shtet që varet nga gazi rus dhe sondazhet tregojnë mbështetje të madhe të popullsisë serbe për Rusinë, pavarësisht faktit se ndihmën më të madhe ky shtet e merr nga Perëndimi.