Kronike
Porositi vrasjen, polici i burgjeve e mohon
Efektivi i burgjeve Flamur Bejko, i cili dyshohet se porositi vëllezërit Beqiraj për vrasjen e dy personave të tjerë, e ka mohuar akuzën para hetuesve. Sipas deklarimeve të tij, dy vëllezërve ua ka dhënë borxh shumën prej 3500 eurosh me argumentin se Beqirajt do të bënin disa dokumente në Greqi. Nga ana tjetër, burime e policisë pohojnë se nga hetimet e deritanishme rezulton që efektivi i burgjeve dhe dy objektivët e atentatit kishin konflikt me njëri-tjetrin. NTV.AL mëson gjithashtu se ushtaraku Altin Celami nuk kishte rol parësor në grup, por ishte person që kishte siguruar dhe shkëmbyer armët e sekuestruara.
Ndërkohë, ditën që ndodhi rrëmbimi i Indrit Beqirajt, autorë janë personat e shpallur në kërkim, pjesë e grupit të Rrumit të Shijakut. Nga verifikimet ka rezultuar se ata i kanë mbajtur në vëzhgim vëllezërit Beqiraj për llogari të tyre dhe nuk kanë pasur dijeni për atentatin që Indrit dhe Gentjan Beqiraj do kryenin për llogari të efektivit të burgjeve.
Ndërsa për ngjarjen e atentatit në “Don Bosko”, ku mbeti i vrarë Erion Çela dhe plagosën katër të tjerë gabimisht, ku objektiv ishte Geron Hasanbelliu dhe dy nipërit e tij, nuk është e qartë nëse Hasanbelliu dhe dy nipërit ishin në ato momente në lokal. Policia po verifikon edhe një herë nëse ditën e vrasjes kanë qenë apo jo brenda ambienteve të lokalit.
Kujtojmë se një ditë më parë, 15 persona ranë në prangat e policisë së Durrësit që shkatërroi një grup kriminal që merrej me vrasje me pagesë. Ishin vëllezërit Indrit dhe Gentian Beqiraj që zbardhën ngjarje të rënda kriminale dhe zbuluan kush ishte fshehur pas tyre. Në 2 raste, porositësi ishte Kasandër Noga, i arrestuar në Belgjikë por që planifikonte ekzekutimin e kundërshtarëve përmes vrasësve me pagesë. Për këta të fundit, disa prej armëve siguroheshin nga ushtaraku Altin Celami.
Lajm në përditësim…
Kush është ushtaraku që ishte pjesë e grupeve kriminale, i siguronte armë vrasësve me pagesë
ntv.al ka siguruar fotografinë e Altin Celamit, ushtarakut 43-vjecar që u vu në pranga në kuadër të operacionit ‘Porositësi’.