Aktualitet
Paketa PREMIUM që po tundon shqiptarët drejt Britanisë
BRITANI E MADHE– Mediat britanike vijojnë të ndjekin me mjaft prioritet zhvillimet në lidhje me emigrantët shqiptarët dhe rrugët që ndjekin ata për të shkruar në ‘tokën e premtuar’. The Sun shkruan se trafikantët tashmë po vijnë me oferta të reja. Ata u premtojnë emigrantëve se do tu krijojnë mundësi që të anashkalojnë qëndrimet në kampe ku nuk janë as kushtet minimale. Paketa e re, me vlerë 11,000 £ për person përfshin një udhëtim 40 minutash me skaf nga Belgjika, pa rrezik për tu kapur e burgosur. Ata gjithashtu premtojnë akses te avokatët që do t’i ndihmojnë ata të shmangin kampet ose dëbimin e shpejtë.
Artikulli:
Kontrabandistët kanë nisur të ofrojnë paketa shërbimi premium për emigrantët që duan të futen në Britaninë e Madhe duke u premtuar se ata do të anashkalojnë qëndrimin në kampe. Trafikantët shqiptarë tani ofrojnë një paketë prej 11,000 £ për person, e cila përfshin një udhëtim 40 minutash me skaf nga Belgjika, pa rrezik për t’u burgosur në mbërritje. Ata gjithashtu premtojnë akses te avokatët që do t’i ndihmojnë ata të shmangin kampet ose dëbimin e shpejtë. Një burim në kontakt me bandat i tha The Sun: “Shqetësimi kryesor i emigrantëve tani është të mos ngecin kampet e tmerrshme duke mos qenë në gjendje të largohen.
“Por bandat tani po ofrojnë një shërbim premium që e shmang atë dhe disa njerëz janë të gatshëm të paguajnë çmimin.”
Trafikantët zakonisht paguajnë nga 3,500 deri në 5,000 £ për të transportuar shqiptarët përmes Kanalit, ku oficerët e Forcave Kufitare në pritje i dërgojnë ata në kampe. Por shërbimi premium është një përgjigje ndaj alarmit pas raporteve për kushte të tmerrshme në kampet e mbipopulluara si Manston në Ramsgate, Kent. Ata gjithashtu duan të marrin para para se dimri të mbyllet dhe ta bëjë kalimin e Kanalit edhe më të rrezikshëm. Një reklamë në TikTok thotë: “Udhëtim me skaf nga Belgjika për 40 minuta në MB. Çmimi më i mire nesër dhe pasnesër.
“Mos e vendosni jetën tuaj në rrezik në varkë. Sigurojmë kalim të sigurt, për të mos qëndruar asnjë ditë në kamp.”
Një hetues i Sun i dërgoi mesazh njërës prej bandave duke i kërkuar detaje dhe iu tha: “Ti nuk shkon në një qendër paraburgimi. Një orë udhëtim. Çmimi 11,000 £ për person.”
I pyetur nëse njerëzit e kishin përdorur tashmë rrugën, trafikanti u përgjigj: “100 për qind. Të enjten dhe të premten e javës së kaluar ne dërguam njerëz.” Një tjetër reklamë e TikTok ofroi një kalim nga një vend i BE-së në MB, me pasaportë biometrike dhe një shoqërim, për 15,000 £.
Tregtia fitimprurëse është bërë e lehtë pasi shqiptarët lejohen të qëndrojnë pa viza deri në 90 ditë në çdo vend të BE-së të zonës Shengen, siç është Belgjika. Fluksi i emigrantëve nënkupton një rekord prej 40,000 njerëzish që kanë kaluar Kanalin me varka të vogla deri më tani këtë vit. Sekretarja e Brendshme Suella Braverman e ka quajtur atë “një pushtim”.