Shkrime
Turbullira të reja po paralajmërohen në botë
Nga Idriz Morina
Turbullira të reja po paralajmërohen në botë. Teksa Perëndimi ende se ka hequr qafe regjimin kriminal të Kremlinit, pushtimin e Rusisë në Ukrainë, po vijojnë të shfaqen kërcënime të reja. Kina edhe pse në dukje ngadalthi, po përgatitet për një pushtim të mundshëm të Tajvanit.
Sipas shumë analistëve perëndimor pritet që sulmi të ndodhë deri në fund të vitit të ardhshëm, 2023. Por, ky kërcënim nuk po e vë në siklet vetëm Amerikën. Japonia sipas mediave perëndimore ka filluar të përgatitet për një luftë të mundshme me Kinën.
Ndërkohë, që kërcënimi nga Koreja Veriore mbetet aty, si gjithmonë (me dekada tashmë, teksa pretendon përdorimin e armëve bërthamore, që mund të ketë ndërtuar ajo).
Por, edhe përpjekjet për një paqe me Rusinë nuk po mungojnë, pasi shumë vende perëndimore janë të prekura ekonomikisht. Disa prej tyre kanë frikë nga recesioni ekonomik, por edhe nga rreziqet potenciale për trazira sociale.
Madje ata, që prisnin për një ndërprerje të luftës llogaritnin edhe në mundësinë e humbjes së demokratëve në zgjedhjet e ndërmjetme, për Kongres dhe Senat në SHBA. Për fat demokratët duket se ia dolën ta ruajnë shumicën në Senat, dhe kjo i lë duart më të lira presidentit Biden, për të vazhduar me ngulm mbështetjen e Ukrainës, deri në tërheqjen e Rusisë.
Teksa ka prirje të tilla të heshtura për publikun, por të njohura për diplomacinë, ka ndodhur një kthesë pozitive. Italia është zotuar për dërgimin e sistemeve antiraktore në Ukrainë. Ishte paksa befasuese kjo lëvizje e Italisë, sepse kishte një frikë se kryeministrja e re Meloni, mund ti dilte në krah Putinit.
Pasqyra e lartëpërmendur tregon kontekstin gjeopolitik në botë dhe trysnive eventuale që mund të ushtrohen ndaj Kosovës.
Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit ka përsëritur se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet, të cilat tashmë i kanë nënshkruar në procesin e dialogut, duke përfshirë edhe fillimin e bisedimeve për të themeluar asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Sipas analistëve, situate e tensionuar në very të Kosovës dirigjohet nga Beogradi dhe Rusia
Po ashtu kjo gjendje e tillë, pas veprimeve dhe reagimeve që ka ndërmarrë Rusia, po shihet si një përpjekje ruso-serbe, për të krijuar paqëndrueshmëri në Kosovë, përkatësisht në veri të vendit, me qëllim të përshkallëzimit të situatës atje. Jo vetëm media perëndimore dhe analistë, por edhe ekspertë e diplomatë parashohin një rrezik potencial, në rast të shpërthimit të një konflikti në veri, duke besuar se ai mund të përhapet në rajon.
Situatë e brishtë politike po vazhdon në Mal të Zi, ku ndërhyrja e përbashkët Rusi-Serbi, po e rrezikon shpesh stabilitetin e këtij vendi të NATO-s.
Edhe Maqedonia është duke u përballur me luftën hibride, e cila zakonisht i atribuohet Rusisë.