Connect with us

Kosova

Përmbytje edhe në Kosovë, probleme në disa zona

Për shkak të reshjeve të shiut në disa komuna të Kosovës raportohet për vërshime dhe vështirësi në qarkullim. Në komunën e Junikut, sipas zyrtarëve komunal të kësaj komune situata e krijuar nga reshjet e shiut ka shkaktuar vërshime dhe përmbytje.

Demokrat Ganijaj, drejtor për Shërbime Publike, Inspeksion, Mbrojtje dhe Shpëtim i ka thënë Radios Evropa e Lirë se është rritur niveli i lumi Erenik dhe disa fshatra dhe lagje po përballen me vështirësi.

“Gjendja momentalisht është emergjente, por nën kontroll. Jemi me ekipet emergjente në terren, kemi rritje të shtratit të lumit Erenik në disa pjesë në lagjen Berisha, lagjen Tofa. Po ashtu ka rrëshqitje të dheut dhe dëmtim të rrugës në fshatin Jasiq. Tek disa shtëpi që janë me bodrum ka përmbytje”, tha Ganijaj.

Nënkryetari i Junikut, Besart Tofaj, u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes, dhe ka thënë se për shkak të reshjeve të shiut lumi Erenik “rrezikon edhe të dal nga shtrati”.

 

 

Edhe në komunën e Pejës, drejtori për Mbrojte dhe Shpëtim Gëzim Gashi i ka thënë Radios Evropa e Lirë se po përballen me vështirësi pas reshjeve të shiu, por se situata është nën kontroll nga ekipet emergjente.

“Kemi bërë disa reagime ku ka qenë më rrezik. Kanali Çokolica një kanal i njohur këtu në Pejë i cili ka dal nga shtrati është rregulluar pas ndërhyrjes. Për momentin nuk ka pasur evakuime të qytetarëve në ndonjë pjesë dhe gjithçka është nën kontroll”, tha Gashi.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës në një njoftim më 18 nëntor ka thënë se reshjet e shiut me intensitet dhe shtrirje të ndryshme territoriale pritet të vazhdojnë deri të hënën më 21 nëntor.

Më të theksuara reshjet e shiut, sipas Institutit do të jenë nëpër disa pjesë të Kosovës, sidomos në Gjakovë, Junik, Deçan, Pejë, Istog, Klinë, Malishevë, Rahovec dhe vende tjera.

Sipas Institutit këto reshje mund të krijojnë kushte për vërshime të shpejta, të cilët mund të shkaktojnë vështirësi dhe probleme, sidomos tek rrjedhat lumore me karakter malorë në formë të rrëkeve të shpejta, duke shkaktuar rrëshqitje të dheut, mbyllje të sistemit të kanalizimeve dhe vështirësi në qarkullim.

Vërshime në Kosovë ka pasur edhe vitin e kaluar./REL

Advertisement