Kronike
Vjosa Osmani thyen heshtjen
Vetëm pasi Kryeministri Albin Kurti iu rikthye mbështetjes së SHBA, pas konfliktit me europianët për çështjen e targave, në këtë rast me kryediplomatin Borrell, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thyer heshtjen dhe me ‘shtiza të trasha’, ka nisur ‘të thurr’ lavdërime për Amerikën, për angazhimin e saj në sheshimin e përplasjes me BE-në.
Osmani më parë, arriti deri atje sa, më 1 nëntor, të dilte hapur kundër propozimit të të dërguarit të posaçëm Gabriel Escobar, për shtyrjen e afatit për konvertimin e targave serbe.
Me dështimin e raundit të fundit të bisedimeve mes Kurtit dhe Vucic në Bruksel, i gjendur nën shenjestrën e të gjithëve, kryeministri i Kosovës dha sinjalin SOS dhe barka e shpëtimit, e dërguar nga Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, përmes propozimit: 48 orë shtyrje afatit për nisjen e zbatimit të gjobave për target e pakonvertuara, e shpëtoi nga mbytja dhe i hapi një deriçkë humbëse për tu rifutur në Bruksel.
Kur në fillim të nëntorit, Osmani u takua me emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ajo la të kuptohej se ishte e rreshtuar në krah të vendimit të Kurtit për të mos e shtyrë afatin e zbatimit të ligjit për targat, me arsyetimin se “vetëm një grup i vogël i serbëve kishte mbetur pa i konvertuar tragat.
Deklarime që më shumë duken si gjykime adoleshentësh, përballë kërkesës së llogarisë së prindit për një faj të kryer apo në tentative, sesa një mendim i kthjellët e presidentes së një shteti.
Pas asaj dite, presidencën e mbuloi një heshtje varri. Skishte as pëshpëritje. Ajo mbeti e ngrirë edhe kur Derek Chollet, këshilltari kryesor i Sekretarit amerikan, Antony Blinken, para një jave, tha se me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, përgjatë një bisede kishte ndarë zhgënjimin e SHBA për vendimin e Kosovës për të mos shtyrë vendimin për target.
Me pak fjalë SHBA, aleatja më e madhe e Kosovës, po ndante shqetësimet me Serbinë, kurse Vjosa shpallte ditën e zgjedhjeve në katër komunat serbe.
E paskuqur në fytyrë, dje Osmani, me rastin e Festës amerikane të Falenderimeve, shkoi për vizitë në kampin ushtarak të SHBA në Kosovë. Për shumë analistë në Prishtinë, Kurti e ka ‘çliruar’ Presidenten, duke i dhënë leje të falenderojë SHBA në Ditën e Falenderimeve.
Me pak fjalë, Vjosa Osmani duket se po luan ‘ngriva – shkriva’ sipas oreksit të kryeministrit që e ka zgjedhur. Gjithsesi një pyetje mbetet në ajër…Nga frika e shkarkimit në rast mosbindje, apo kaq e gjykon???