Connect with us

Aktualitet

Spiunët/ Hyn në fuqi ligji për hapjen e dosjeve

Ka hyrë në fuqi ligji që mundëson pas 32 vitesh hapjen e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit si dhe verifikimin e politikanëve, të cilët kanë marrë më parë certifikata të pastërtisë së figurës nga komisionet ‘Bezhani’ dhe ‘Mezini’. Ndryshimet në ligjin NR. 45/2015 për të drejtën e informimit mbi dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit u miratuan në 22 tetor 2022 në Kuvend, me konsensusin e PS-së dhe PD-së së drejtuar nga Enkelejd Alibeaj. Ndryshimet u dekretuan nga Presidenti Bajram Begaj në 11 nëntor 2022, duke u botuar në Fletoren Zyrtare në 6 ditë më pas, në 17 nëntor 2022. Ndryshimet e rëndësishme kanë hyrë në fuqi dy javë më pas, duke i hapur rrugën Autoritetit të Dosjeve për zbatimin e parashikimeve të reja.

Ku konsistojnë ndryshimet dhe çfarë pasojash sjellin?

Hiqet mburoja për politikanët dhe pushtetarët e vendosur në ligjin e vitit 2015, ku ndalohej me ligj verifikimi i tyre për lidhje me ish Sigurimin e Shtetit, nëse kishin marrë parë një certifikatë të pastërtisë së figurës nga komisionet Mezini dhe Bezhani. Tashmë çdo kandidat për t’u zgjedhur deputet apo kryetar bashkie, do të verifikohet nëse ka qenë bashkëpunëtor i ish Sigurimit të Shtetit, duke i bërë të pavlefshme certifikatat e pastërtisë së figurës të lëshuara nga komisionet Mezini dhe Bezhani. Heqja e kësaj mburoje u kërkuar nga vetë Autoriteti i Dosjeve, pas pretendimeve se Ilir Meta kishte qenë spiun i ish Sigurimit të Shtetit, por që ligji ndalonte një verifikim të plotë dhe shterues.

Ilir Meta ka mohuar pretendimet e Autoritetit të Dosjeve për bashkëpunim me ish Sigurimin e Shtetit. Debati nëse Meta kishte qenë apo jo spiun i ish Sigurimit të Shtetit dominoi politikën gjatë muajve gusht-shtator të këtij viti. Tashmë ndryshimet ligjore i japin mundësi Autoritetit të Dosjeve zbulimin e të vërtetës.

Por, ndryshimi më i rëndësishëm, i cili çuditërisht ka kaluar pa vëmendjen që meriton, konsiston në deklasifikimin e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit, pra në hapjen e dosjeve. Në nenin 44 të ligjit 2015, janë shtuar dy pika, përkatësisht pikat 4 dhe 5, duke vendosur deklasifikimin e të gjitha dokumenteve ish-Sigurimit të Shtetit për periudhën 29 nëntor 1944 deri në ditën e krijimit të Shërbimit Informativ Kombëtar, 2 korrik 1991. Nuk do të zbulohen vetëm dokumentet që përmbajnë informacione që lidhen me cenimin e sigurisë kombëtare.

Po kush mund të ketë akses në dosjet e ish Sigurimit të Shtetit?

Për këtë pikë ka pasur diskutime dhe polemika në Komisionin e Ligjeve. Në fund është vendosur që kopje nga dosjet e ish Sigurimit të Shtetit mund të kërkohet në bazë të ligjit për të drejtën e informimit, por me disa kufizime. Së pari, kërkuesi duhet të japë informacion se ku mund të ndodhet dosja. Së dyti, duke të argumentojë interesin e tij për të pasur akses dosjen përkatëse dhe së treti kërkuesi nuk duhet të keqpërdorë informacionin që ka marrë.

“Çdo person gëzon të drejtën të njihet me dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe të kërkojë një kopje të tyre në përputhje me ligjin për të drejtën e informimit, me kusht që kërkuesi të paraqesë të dhëna në kërkesën e tij që mundësojnë lokalizimin e informacioneve. Informacioni jepet vetëm kur angazhimi i nevojshëm për gjetjen dhe vënien në dispozicion të informacionit është në përpjesëtim të drejtë me interesin e argumentuar të kërkuesit në marrjen e këtij informacioni. Kërkuesi mban përgjegjësi për keqpërdorimin e informacionit të marrë”, thuhet në ndryshimet në ligjore.

Aktualitet

Dekonspirimi i operacionit të SPAK/ Rrumbullaku justifikohet: 11 na ikën jashtë!

Pasi në media është përfolur se operacioni i SPAK me 50 urdhërarreste është dekonspiruar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, ka reaguar edhe drejtori i Policisw sw Shtetit Muhamet Rrumbullaku.

Përmes një reagimi për mediat, Rrumbullaku thekson se Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale nuk është përjashtuar nga pjesëmarrja në operacionin e koduar “Revanshi”, për ekzekutimin e 50 masave të sigurisë të caktuara nga GJKKO.

Kjo sipas policisë tregon se nuk ka asnjë indicie për dekonspirim të operacionit. Sa u takon personave që nuk janë arrestuar, policia sqaron se 15 rezultojnë jashtë vendit, ndërsa 11 shtetas, mes tyre dhe 2 dy punonjës policie, të cilët iu shmangën organeve të drejtësisë, nuk u bë e mundur që të kapeshin gjatë operacionit.

Reagim:

Në lidhje me një lajm të publikuar në disa portale, se Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale është përjashtuar nga pjesëmarrja në operacionin e koduar “Revanshi”, për ekzekutimin e 50 masave të sigurisë të caktuara nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, sqarojmë se:

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në kuadër të këtij operacioni, hartoi planin operacional për ekzekutimin e masave të sigurisë.

Për zbatimin e këtij plani operacional u angazhuan 50 oficerë të Policisë Gjyqësore, Departamenti i Policisë Kriminale, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Ogranizuar, personeli policor i Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, të gjithë efektivët e Forcës Kombëtare të Sigurisë, 80 % e efektivëve të RENEA-s, 100 punonjës të DVP Tiranë, 50 punonjës të DVP Durrës, 50 punonjës të DVP Lezhë, 50 punonjës të DVP Vlorë dhe 20 punonjës të DVP Shkodër.

-Gjatë operacionit, u kapën nga shërbimet e Policisë që morën pjesë në operacion dhe u arrestuan, 8 shtetas.

-6 shtetas, të cilët u shpallën në kërkim në kuadër të operacionit, u kapën dhe u arrestuan jashtë shtetit, gjatë zhvillimit të operacionit, në bashkëpunim me partnerët italianë, spanjollë, belgë dhe gjermanë.

-Për 6 shtetas të tjerë u ekzekutuan vendimet e Gjykatës dhe ata u njohën me akuzat, në IEVP-të përkatëse.

-Gjatë verifikimeve në sistemin TIMS, rezultoi se 13 shtetas ndodheshin jashtë shtetit dhe ishin larguar para zhvillimit të operacionit, si dhe 6 shtetas  që ishin të shpallur në kërkim para operacionit, sipas vendimit të gjykatës, për vepra të tjera penale të kryera më parë.

-Ndërsa 11 shtetas, mes tyre dhe 2 dy punonjës policie, të cilët iu shmangën organeve të drejtësisë, nuk u bë e mundur që të kapeshin gjatë operacionit.

Theksojmë faktin se asnjë strukturë e Policisë së Shtetit në nivel qendror apo vendor nuk është përjashtuar nga pjesëmarrja në operacionin “Revanshi” dhe deri tani nuk ka asnjë indicie për dekonspirim të operacionit.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka bashkëpunim shumë të mirë, të bazuar në ligj dhe në besueshmëri të plotë me SPAK-un, me GJKKO-në dhe me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.

Bazuar në rezultatet e punës, të arritura gjatë vitit 2023 dhe gjatë 5-mujorit të parë të vitit 2024, rezultate të cilat janë të pakrahasueshme me periudha të mëparshme, tregojnë qartë angazhimin maksimal dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit, në luftën ndaj krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi.

Gjithashtu, Policia e Shtetit është e vendosur për ta thelluar më tej procesin e vetëpastrimit, duke bashkëpunuar ngushtësisht me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, me qytetarët dhe me mediat.

Continue Reading

Aktualitet

Sherr në mes të rrugës, dhunohen barbarisht shqiptari dhe partnerja e tij

Mëngjesin e sotëm pak pas orës 10:00 në Aegaleo ka ndodhur një sherr mes një grupi personash.

Gjithçka ka ndodhur dy makina ndodheshin në semafor në kryqëzimin e rrugëve Ieras Odos dhe Thebës.

Më pas për një arsye të panjohur drejtuesit e dy mjeteve kanë nisur të bisedojnë dhe nga njëra veturë kanë zbritur tre persona të cilët janë nisur drejt çiftit.

Ata iu afruan dhe filluan të rrahin burrin 43 vjeçar, me origjinë shqiptare ashtu edhe gruan në të njëjtën moshë që ishte në makinë së bashku me të.

Pak më vonë, në tentativë për t’u arratisur, tre personat e kanë tërhequr zvarrë me makinën e tyre 43-vjeçarin dhe e kanë hedhur në tokë.

Çifti u dërgua me autoambulancën e EKAV-së në spitalin Thriasio.

Fatmirësisht shqiptari është jashtë rrezikut për jetën ndërsa policia ka nisur hetimet për arrestimin e tre personave.

 

Continue Reading

Aktualitet

KPA merr vendimin, shkarkon nga detyra kreun e KLP-së, Alfred Balla

Kolegji i Posaçëm i Apelimit kaloi sot në veting në shkallëtn e dytë kreun e KLP-së Alfred Ballën. Pas shqyrtimit të rastit, KPA vendosi largimin nga sistemi të Ballës.

Për Alfred Balllën, ankimoi në KPA Komisioneri Publik. Sipas KPA-së, Alfred Balla nuk duhet që të ushtrojë funksione në drejtësi për 15 vitet e ardhshme.

“Trupi gjykues e gjen të drejtë ankimin e Komisionerit publik duke konkluduar se vendimi i KPK-së është i pabazuar në fakte e ligj dhe si i tillë duhet ndryshuar. Trupi gjykues me shumicë votash vendos ndryshimin e vendimit nr 675 të KPK-së si më poshtë: Ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për Alfred Ballën. Subjekti i vlerësimit nuk mund të emërohet gjyqtar apo prokuror i çdo niveli, anëtar i KLP-së apo KLGj-së, inspektor i lartë i drejtësisë apo prokuror i përgjithshëm për një periudhë 15 vjeçare”, thuhej në vendimin e lexuar nga anëtarja e KPA, Ina Rama.

Vendimi u dha nga trupa gjykuese e përbërë nga Ina Rama kryesuese, Albana Shtylla relatore, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtar.

Continue Reading

Aktualitet

Pamje të rënda/ Protestuesi gjuan me shkelma gruan para Bashkisë së Tiranës

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka zhvilluar edhe këtë të martë një tjetër protestë te Bashkia e Tiranës, ku kërkohet dorëheqja e kryebashkiakut Veliaj pas skandalit “5D” që përfshiu bashkinë e drejtuar nga ky i fundit.

Kjo është protesta e tetë që mbahet para godinës së Bashkisë, dhe ashtu si tubimet e mbajtura më herët edhe protesta e sotme është shoqëruar me incidente dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë, ku nuk kanë munguar edhe lëndët plasëse molotov të hedhura drejt godinës.

Por një incident është regjistruar jashtë gardhit metalik të Bashkisë mes dy protestuesve. Një grua është konfliktuar si fillim verbalisht me një protestues mashkull, dhe më pas sherri ka degruar deri në përplasje fizike. Nuk dihet ende pse dy protestuesit janë konfliktuar me njëri-tjetrin ndërkohë siç mund të shihet edhe në video në një moment burri i gjuan me shqelm gruas e cila rrëzohet në tokë. Lidhur me rastin ende nuk ka asnjë reagim zyrtar për të kuptuar arsyen e konfliktit, ndërsa skena ka shkaktuar shqetësim edhe tek protestuesit e tjerë.

Qytetarët u mblodhën ditën e sotme në protestë në orën 11:00 ndërsa kërkuan largimin nga detyra të kryebashkiakut Erjon Veliaj. Protesta e sotme ashtu si protestat e kaluara u shoqërua me disa incidente ndëra qytetarët kanë hedhur bomba molotov drejt bashkisë. Këshilltarët e opozitës dhe qytetarëve tentuan disa herë për tu futur brenda objektit të bashkisë ndërsa më pas shkulen edhe gardhin metalik. Protesta zgjati rreth 1 orë e 30 minuta, ndërsa protesta e radhës u thirr të martën e ardhshme në orën 11:00.

Continue Reading

Aktualitet

Skandali i mikrokredive/ SPAK po e heton, Sejko tek “Ekonomia”: S’kam asnjë informacion

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko po dëshmon këtë të martë në mbledhjen e Komisionit parlamentar të Ekonomisë për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve në lidhje me skandalin e Mikro Kredit Albania për mbledhjen e kredive të këqija nga institucionet financiare jo banka.

Sejko deklaroi se nuk ka asnjë informacion nga Prokuroria, nëse kemi të bëjmë me mashtrim financiar, teksa sipas tij, atij nuk duhet t’i komunikohet që është nën hetim për “shpërdorim detyre”, por shkeljet që ka bërë.

Gent Sejko shmangu përgjegjësit, ku deklaroi se Banka e Shqipërisë nuk mund të ndërhyjë në marrëdhëniet që MCA ka me kontraktorët e tjerë. Sipas tij, po cilësohet “kriminel” kur nuk ka patur asnjë faj.

“Subjektet financiare që japin mikrokredi iu janë nënshtruar të gjitha kontrolleve. Revokimi i licensës është masa e fundit që mund të marrë Banka e Shqipërisë. Kjo mund të sjellë pasoja edhe për klientët. Banka e Shqipërisë nuk mund të ndërhyjë as në marrëdhëniet që ka MCA me kontraktorët e tjerë. Problemi me MCA është se të gjitha palët tashmë iu drejtohen gjykatave. Qytetarët duhet të paguajnë detyrimet që kanë.

Problemi në lidhje me normën e interesit ka të bëjë me mikro-kreditë. Kemi bërë inspektime dhe normat e interesit janë ulur me tre herë. Kemi qenë në nivelet e mbi 200 përqind e jemi tek 50-60 përqind, në qershor do kemi shifrën e re të përditësuar. Kemi marrë edhe masa, që detyrimi për klientët mos të jetë më tepër se 30 përqind e shumës së marrë si kredi.

Nëse qytetarët shikojnë shkelje, jo mashtrim financiar. Duhet të na thotë prokuroria nëse ka mashtrim financiar, unë s’kam asnjë informacion nga prokuroria, jo të më thotë mua prokuroria mua ‘ti je i hetuar për shpërdorim detyre’, por të më thotë ‘ja ku janë shkeljet ligjore, ja ku janë problemet dhe vepro’. Dhe atëherë unë si Guvernator po të mos kisha vepruar do të isha fajtor, por unë nuk kam asnjë informacion nga prokuroria. Dyshohem, hidhet gjithë ky tym, mblidheni ju këtu dhe më thoni mua ‘çfarë ka ndodhur, ç’është kjo gjë e tmerrshme që ka ndodhur dhe ti je kriminel’, ndërkohë që unë nuk kam informacion. Informacionin që kemi ne si Banka e Shqipërisë do të duhet ta shikojmë dhe gjykojmë me qetësi dhe ta zbërthejmë, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të ndihmojmë qytetarët.” – deklaroi Gent Sejko

Skandali me kreditë e këqija që mbledh Mikro Kredit Albania përllogaritet se prek 100 mijë familje ndërsa dëmi konsiderohet mbi 100 milion euro. Qytetarët kanë humbur edhe banesat e tyre për mosshlyerjen e kësteve, edhe pse kanë marrë shuma të vogla kredi.

Prokuroria e Tiranës vlerësoi se guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko duhet të hetohet për “shpërdorim detyre” nga SPAK, pasi dyshohet se mori masa të vonuara dhe të papërshtatshme për të frenuar skemën e dyshuar të mashtrimit ndaj mijëra qytetarëve nga shoqëria e mikrokredive MCA.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING