Connect with us

Rajon

DW: Europa humbet durimin me Kosovën dhe Serbinë

Shkrim nga DW

Përveç luftës së Rusisë në Ukrainë, BE-ja sërish shqyrtoi edhe tensionet e rrezikshme së fundi mes Kosovës e Serbisë, vende këto aspirante për anëtarësim në union.

Josep Borrell, politikani spanjoll që rrezaton qetësi dhe maturi, merret me të gjitha konfliktet e mundshme në Europë dhe në botë. Disa gjëra i ngarkuari i BE-së për Politikën e Jashtme mund t’i arrijë, por çështje të caktuara mbeten të vështira, si lufta e Rusisë në Ukrainë. E po aq e rëndësishme është për Borrell që të ruajë qetësinë e rendin në shtëpinë e vet në Europë.

Barrikadat në veri të KosovësNë mbrëmje pas një mbledhjeje të gjatë të ministrave të jashtëm të BE-së kryediplomatit i lexohej zhgënjimi në fytyrë, teksa foli për dy aspirantet e Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE, Kosovën dhe Serbinë. “Ne nuk jemi më të gatshëm ta pranojmë këtë. Kjo situatë duhet të marrë fund”, tërhoqi vëmendjen Borrell me një zë të prerë duke e përmbajtur indinjatën para mikrofonëve në sallën plenare. Separatistë serbë të pandehur kanë sulmuar në veri të Kosovës një automjet të EULEX-it e përveç kësaj në rrugë janë parë edhe milicë të armatosur. EULEX që prej 14 vjetësh me qindra juristë, gjyqtarë e policë përpiqet të ndërtojë shtetin ligjor në Kosovën që ka shpallur njëanshëm pavarësinë.

BE mund të dërgojë më shumë personel

Serbët në fundjavë protestuan, sepse më parë një polic serb u arrestua nga policia e Kosovës. “Këshilli i ministrave të jashtëm u kërkoi të dyja palëve, që të heqin dorë nga provokimet dhe t’i japin fund dhunës”, tha Josep Borrell. BE do të dërgojë më shumë personel në Kosovë, nëse kjo do të jetë e nevojshme.

Takimi Kurti - Vuçiq me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel, 21.11.2022Rusia reagon gjithashtu

Pas të gjitha këtyre zhvillimeve në veri të Kosovës edhe Rusia u prononcua. Kremlini kërkoi, që të respektohen interesat e aleatëve serbë në Kosovë. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Sakarova akuzoi BE-në dhe SHBA-në si përgjegjëse për gjendjen e sigurisë. Kjo u kujtoi ministrave të Jashtëm të BE-së, se shumë vëzhgues e konsiderojnë Serbinë si një lloj nëndetësje ruse në radhët e BE-së. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq refuzon të pranojë sanksionet e BE-së kundër Rusisë, ndonëse Serbia si vend kandidat duhet të harmonizojë politikën e jashtme me atë të BE-së.

Advertisement