Connect with us

Kosova

Asociacioni/ Lojë me dy porta e SHBA?

Departamenti i Shtetit: Qëndrimi amerikan për Asociacionin është i qartë, nuk komentojmë korrespondencën e pretenduar diplomatike

“Departamenti i Shtetit nuk mund të komentojë korrespondencën e pretenduar diplomatike, por qëndrimi amerikan në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë është i qartë”

Kështu thuhet në përgjigjen për Zërin e Amerikës, në lidhje me shkrimin e mediave të caktuara serbe për gjoja bllokadën amerikane për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës – me arsyen se autoritetet e Prishtinës nuk kanë një qëndrim konstruktiv për Asociacionin.

‘Euronews Serbia’ ka raportuar dhe disa media të tjera kanë transmetuar se ministritë e punëve të jashtme të disa vendeve evropiane, të cilat janë anëtare të Këshillit të Evropës, kanë marrë një notë nga ambasadat amerikane në të cilën thuhet se Uashingtoni mendon se çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës nuk duhet të vendoset në rendin e ditës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.

Sipas mediave, SHBA do ‘lirojë rrugën’ kur Kosova të miratojë një qëndrim konstruktiv për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, gjë që do ti hapte rrugën marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Departamenti i Shtetit, në përgjigjen e tij për Zërin e Amerikës, thekson se qëndrimi amerikan është i qartë – “Tani është momenti për të krijuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe”

Më herët, Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Chollet dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Escobar, në një tekst të përbashkët kanë theksuar se përmbushja e obligimit të Kosovës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk cenon Kushtetutën e Kosovës dhe as nuk kërcënon sovranitetin, pavarësinë apo institucionet demokratike si dhe janë shprehur kategorik kundër krijimit të çdo entiteti që do t’i ngjante ‘Republika Srpska’.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, përfaqësuesi i administratës amerikane, Escobar, më herët ka folur për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, teksa theksoi se do të formohet, me ose pa kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

Gjatë javëve të fundit, nismat diplomatike janë intensifikua si pjesë e përpjekjeve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për intensifikimin e dialogut mes dy palëve dhe nxitjen e procesit integrues.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – një proces me performancë shumë të ndryshueshme, u ngadalësua veçanërisht gjatë vitit 2022. Bisedimet mes dy palëve, të cilat duhet të përfundojnë me një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve, janë karakterizuar me disa kriza gjatë viti që shkoi. Ato u zgjidhën me angazhimin e partnerëve ndërkombëtarë, kryesisht ndërmjetësuesve në dialog – Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

 

 

Advertisement