Connect with us

REAGIM

Sulmi ndaj Top Channel, reagon edhe Qendra Evropiane për Shtyp dhe Lirinë e Medias

Një reagim i ashpër për sulmin ndaj Top Channel ka ardhur edhe nga Qendra Evropiane për Shtyp dhe Lirinë e Medias. Përmes një mesazhi në Twitter, ECPMF bën thirrje për hetime të pavarura.

“Të shokuar kur mësuam se ka pasur një sulm me armë zjarri në ambientet e Top Channel në #Shqipëri , nga ku ka mbetur i vrarë një roje sigurie në objekt. Ne i shprehim ngushëllimet tona familjes dhe u bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të kryejnë hetime të pavarura dhe profesionale”- shkruan Qendra Evropiane për Shtyp dhe Lirinë e Medias..

‘Indinjatë ndaj këtij akti terrorist’, Këshilli i Lartë i Prokurorisë kërkon zbardhjen sa më parë të sulmit ndaj Top Channel

Edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, përmes një deklarate të kryetarit Alfred Balla e cilëson akt terrorist sulmin e armatosur ndaj godinës së Top Channel dhe vrasjen e rojës së sigurisë. Ky institucion kërkon zbardhjen sa më parë të ngjarjes.“Ngjarje vërtet e rëndë ajo e orëve të para të mëngjesit, të sotëm ku godina e televizionit kombëtar “Top Channel” është qëlluar me armë, e ku për pasojë ka humbur jetën roja i sigurisë Pal Kola.

Teksa i shpreh në emër të KLP-së ngushëllime familjes së z. Kola, Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Alfred Balla shpreh indinjatën ndaj këtij akti terrorist dhe kërkon nga prokuroria e kryeqytetit dhe nga ajo e posaçme ta zbardhin sa më shpejt dhe me përgjegjshmërinë më të lartë këtë ngjarje kriminale, e të dërgojnë përpara ligjit autorët”, thuhet në reagim.

 

Advertisement