Aktualitet
Historia e Joanës, avokatja shqiptare në Nju-Jork
Joana Kaso është një shqiptare e Amerikës, që jeton dhe punon si avokate prej gati dy dekadash në SHBA. Joana u diplomua në fushën e juridikut në Tiranë, por gjithmonë ëndrra e saj, si e shumë shqiptarëve ishe Amerika.
Në një rrëfim të gjatë për gazetaren Rudina Xhunga në rubrikën “Jeta ime” në emisionin “Shqip”, DritareTv, avokate Joana tregon se si shkoi në SHBA në 2004-ën, arriti të kualifikohet dhe punoi si avokate shteti për shumë vjet.
“Unë erdha në SHBA në vitin 2004, bashkë me burrin me vizë turistike. Unë kisha fituar një kurs për shkrimin legjislativ në një universitet të Nju-Jorkut dhe kështu bëmë transferimin e vizës. Ndoqa kursin, u diplomova dhe nisa punë si avokate për shërbimet publike të shtetit të Nju-Jorkut. Unë ndihmoja njerëzi me të ardhura të ulëta.
Unë e kisha ëndërr Amerikën, por nuk e mendoja që do vija e do punoja për shërbimet ligjore këtu në SHBA. Kështu ma solli jeta. Kjo eksperiencë më hapi sytë për jetën këtu në Amerikë. Puna ime 20-vjeçare si avokate është e fokusuar te të drejtat e grave dhe fëmijëve.
Sidomos te dhuna në familje që unë e konsideroj si plagën më të madhe të shoqërisë shqiptare. Sepse unë po shoh shumë ngjarje të trishtueshme që ndodhin në Shqipëri. Unë kam ikur në 2004-ën nga Shqipëria dhe koha për mua ka ndaluar në Tiranën e 2004-ës. Jeta këtu është aq e vrullshme sa nuk na lë kohë që të fokusohemi ne të dyja vendet.
Koha për mua ka ngelur aty, në Shqipërinë e 2004-ës. Edhe kur vijmë e ikim, ne përsëri ngelemi në atë vit. Dhe fatkeqësisht dhuna në familje vazhdon, edhe tek ata që vijnë këtej, duket sikur i marrin me vete mënyrat e këqija të sjelljes.
Por dua të them që të këqijtë nuk jemi ne. Ka shumë më tepër dhunë e kriminalitet te njerëz të ardhura nga të tjera shtete në SHBA, krahasuar me shqiptarët.”, u shpreh avokate Joana Kaso.