Thinking ...
Connect with us

Kosova

Dosjet e luftës nuk mbyllen/ Thirrje për ndjekjen e zyrtarëve serbë të dyshuar për krime lufte në Kosovë

Aktgjykimi i shkallës së parë ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së ka rikthyer në qendër të debatit edhe çështjen e përgjegjësisë për krimet e kryera gjatë luftës së Kosovës.

Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi, Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë dhe Rrjeti i Pajtimit REKOM kanë reaguar me një deklaratë të përbashkët pas vendimit të Hagës.

Tre organizatat theksojnë se aktgjykimi ka dokumentuar fakte që, sipas tyre, nuk mund të mohohen pavarësisht narrativave politike apo historike mbi luftën e UÇK-së.

Në deklaratë thuhet se vendimi dokumenton vende ndalimi, raste torture, vrasje dhe zhdukje të serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës.

Mes viktimave, sipas organizatave, kishte edhe shqiptarë të Kosovës, përfshirë persona të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës, njerëz pa angazhim politik, por edhe pjesëtarë apo përkrahës të UÇK-së.

Organizatat kundërshtojnë argumentin se etiketimi i një personi si “kolaboracionist” mund të përdoret për të justifikuar rrëmbimin, torturën apo vrasjen.

Sipas tyre, asnjë pozicion politik apo akuzë për bashkëpunim me palën kundërshtare nuk mund të shërbejë si justifikim për krime ndaj individëve.

Por deklarata nuk ndalet vetëm te krimet e dokumentuara në aktgjykimin e Hagës.

Tre organizatat e të drejtave të njeriut e konsiderojnë të arsyeshëm edhe pakënaqësinë në Kosovë për mungesën e ndjekjeve penale në Serbi ndaj zyrtarëve të lartë ushtarakë dhe policorë serbë, të dyshuar për krime të kryera ndaj shqiptarëve gjatë luftës.

Sipas tyre, drejtësia për viktimat nuk mund të jetë selektive dhe përgjegjësia duhet të trajtohet pavarësisht përkatësisë etnike apo politike të autorëve dhe viktimave.

Kështu, pas vendimit të Hagës, debati për krimet e luftës rikthehet në një dimension më të gjerë: jo vetëm përgjegjësia individuale e ish-drejtuesve të UÇK-së, por edhe hetimi dhe ndjekja penale e krimeve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës së Kosovës.

Organizatat kërkojnë që faktet e dokumentuara të mos përdoren për të ushqyer narrativa të njëanshme, por të shërbejnë si bazë për drejtësi ndaj të gjitha viktimave.

Advertisement