Rajon
Jemi të virgjër/ Vuçiç mohon shitjen e armëve Ukrainës
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, më 5 mars ka deklaruar se asnjë armë, pajisje apo municion serb nuk i është shitur Rusisë apo Ukrainës dhe se ata që pretendojnë të kundërtën janë “gënjeshtarë dhe duhet të kenë turp, sepse po i sjellin dëme Serbisë”.
Në fund të shkurtit, disa media ruse njoftuan se 3.500 raketa nga fabrika serbe “Krushik” iu dorëzuan forcave të armatosura të Ukrainës, përmes Turqisë dhe Sllovakisë, ndërkaq Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë njoftoi se ky informacion shkakton “shqetësim të thellë”.
Lidhur me pretendimin se armët janë eksportuar në Ukrainë nga Serbia, përmes Turqisë, Vuçic tha se ekziston mundësia që një pjesë e mallit të përfundojë diku tjetër.
Portali rus “Mash” njoftoi mbi dyshimet se 3.500 copë raketa “M-21 GRAD” 122 milimetra të Krushik-ut iu dorëzuan forcave të armatosura të Ukrainës.
Media ruse ka pohuan se arkat kanë fluturuar nga Serbia në Turqi, ku si ndërmjetës ka kryer transitin nje kompani turke, përmes së cilës ngarkesa ka shkuar në Sllovaki, e më pas në Ukrainë.
Kjo nuk është afera e parë, në të cilën Serbia akuzohet për shitjen e armëve në luftën ruse-ukrainase. Më 16 korrik 2021, në veri të Greqisë u rrëzua një aeroplan ukrainas dhe u konstatua se po transportonte për në Bangladesh mina për stërvitje, të cilat kompania serbe “Valir” i bleu nga fabrika shtetërore “Krushik”.