Aktualitet
Vrasja e biznesmenit në Fier/ 21 vite burg për Albert Zajën
Albert Zaja është dënuar me 21 vite burg për vrasjen e biznesmenit Shkëlzen Kastrati, ngjarje e ndodhur në janar të 2 viteve më parë. Vendimi është marrë nga Gjykata e Fierit, e cila konstatoi se Albert Zaja, është njëri nga protagonistët e vrasjes së Shkëlzen Kastratit, i cili gjatë procesit gjyqësor kishte kërkuar gjykim të shkurtuar. Prokurori i çështjes Dorian Tafili kishte kërkuar 25 vite heqje lirie, por për të Gjykata vendosi 21. Ndërsa prej gjykimit të shkurtuar, Zaja ka përfituar uljen e dënimit me vetëm 4 vite.
Gjatë gjithë hetimit Zaja nuk ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë dhe ka mohuar gjithë kohës se ka marrë pjesë në vrasjen e biznesmenit. Ndërkohë për 3 bashkëpuntorët e tij të shpallur në kërkim nga prokuroria e Fierit si pjesëmarës në këtë krim, Elson Xheçuka, Elmir Tufa dhe Silvia alias Roland Cara, Gjykata ka vendosur të kthejë dosjen e akuzës për plotësim të veprimeve hetimore.
“Për tre personat e mësipërm gjykata ka caktuar për prokurorinë rreth 80 detyra proceduriale hetimore, me qëllim saktësimin e rolit të secilit prej tyre,”-shkruhet në artikull.
Deri më tani mendohet se Elson Xheçuka është personi që ka qëlluar me armë Shkëlzen Kastratin. Njëri nga pjesëmarësit në këtë vrasje, Elmir Tufa, vijon të jetë në kërkim edhe për një ngjarje tjetër kriminale, atë të grabitjes së 25 shtatorit 2018, në Vlorë, ngjarje për të cilën Tufa është dënuar me 16 vite burgim për akuzën e “Grabitjes me armë”.
Si ndodhi krimi?
Shkëlzen Kastrati, 40 vjeç u ekzekutua paraditen e 1 shkurtit pranë Rrethit në fshatin Sheq në Fier. Ai u qëllua nga një makinë tip Range Rover, që pas vrasjes u gjet e djegur te Mbikalimi i Baltzës. Dyshohet se ngjarja lidhet me një përplasje të vjetër mes familjeve Binjaku dhe Kastrati, për shkak të përfshirjes së vëllait të tij, Klementit në një sagë hakmarrjeje me Ermal Binjakun. Në vitin 2016, një atentat i ngjashëm iu bë të vëllait tek Ura e Mbrostarit në Fier, por plumbat i mori shoku i tij, Denis Kasaj, i cili humbi dhe jetën.