✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Akuzoi Ballukun për kërcënim/ Kreu i Tatimeve i përgjigjet Spiropalit: Ti më bëre presion për bizneset familjare

Përplasja mes deputetes socialiste Elisa Spiropali dhe drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj, është përshkallëzuar pas akuzave të ndërsjella për presion dhe ndërhyrje në administratën publike.

Një ditë pasi Spiropali deklaroi se Binaj, në bashkëpunim me Belinda Ballukun, e kishte kërcënuar dhe ushtruar presion ndaj saj, drejtori i Tatimeve ka reaguar publikisht, duke mohuar çdo takim personal me Ballukun dhe duke ngritur akuza ndaj deputetes dhe bashkëshortit të saj.

Në deklaratën e tij, Binaj thotë se që prej emërimit në detyrë, më 23 shtator 2024, nuk është takuar asnjëherë personalisht me Belinda Ballukun, përveç rasteve të takimeve publike që lidhen me funksionin e tij.

Ai pretendon se, në të kundërt, administrata tatimore është përballur me presion nga Elisa Spiropali dhe bashkëshorti i saj, lidhur me kontrollet e ushtruara në biznese familjare. Sipas Binajt, këto kontrolle janë zhvilluar në kuadër të planeve të administratës për luftën kundër evazionit fiskal dhe janë bazuar në analizën e riskut apo denoncimet e qytetarëve.

Drejtori i Tatimeve pretendon se rezultatet e kontrolleve nuk janë pritur mirë nga deputetja dhe bashkëshorti i saj dhe se ndaj inspektorëve tatimorë, madje edhe familjarëve të tyre, janë ushtruar kërcënime. Binaj thotë se për këto raste ekzistojnë fakte të verifikueshme dhe denoncime në organet ligjzbatuese.

Më tej, ai deklaron se kontrollet kanë evidentuar dyshime të arsyeshme për evazion tatimor në përmasa të mëdha dhe se dosjet përkatëse po u referohen organeve ligjzbatuese për veprime të mëtejshme.

Deklaratë publike e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj

Unë jam një qytetar shqiptar që i jam përgjigjur thirrjes për t’i shërbyer vendit pas vitesh në SHBA, ku kam punuar në fushën e auditimit financiar. Nga data 23 shtator 2024, kur kam marrë telefonatën e ministrit të Financave, e deri më sot, nuk e kam takuar kurrë personalisht zonjën Belinda Balluku, përveç takimeve publike për shkak të detyrës.

Sot kam vendosur të bëj këtë deklarim publik, pas një sulmi mediatik që më ka ardhur, jo për herë të parë, nga deputetja Elisa Spiropali.

Ajo që zonja deputete nuk tha, është se Administrata Tatimore e Republikës së Shqipërisë është vendosur nën një presion të paligjshëm nga deputetja në fjalë dhe bashkëshorti i saj, për llogari të bizneseve familjare.

Administrata Tatimore, në funksion të mbledhjes së të ardhurave dhe luftës ndaj evazionit, ka ushtruar kontrolle në sektorin e ndërtimit, në përputhje me planet e saj strategjike dhe operacionale. Kontrollet e ushtruara, bazuar në analizën e riskut apo denoncimet e qytetarëve, kanë përfshirë edhe subjekte që lidhen me znj. Spiropali.

Rezultatet qartazi nuk janë pëlqyer nga zonja dhe bashkëshorti i saj dhe, si pasojë, janë kërcënuar inspektorët tatimorë, madje edhe familjet e tyre. Për këtë ka fakte të verifikueshme dhe denoncime në organet ligjzbatuese. Procedura është e gjitha e dokumentuar dhe gjetjet e inspektimit janë tejet shqetësuese.

Kontrollet e ushtruara kanë evidentuar dyshime të arsyeshme për evazion tatimor të përmasave të mëdha. Për këtë arsye dhe pa asnjë lloj përjashtimi diskriminues, por sipas procedurave tatimore të ndjekura me të gjithë tatimpaguesit e dyshuar për evazion, dosjet po u referohen organeve ligjzbatuese për veprime të mëtejshme.

I kërkoj znj. Spiropali të mos e përmendë më emrin tim, sepse unë jam një nëpunës i ndershëm i shtetit që nuk merret me politikë dhe nuk lejoj askënd të cenojë dinjitetin tim dhe të familjes sime për shkak të detyrës.

Znj. Spiropali, si ish-drejtoreshë e Doganave, duhet ta kishte të qartë se presioni dhe intimidimi i administratës publike përbëjnë shkelje të rënda etike dhe ligjore.

Advertisement