Lifestyle
Verërat dhe ushqimet, kombinimet e duhura për këtë stinë
Vera është stina e ushqimeve të shpejta, të freskëta dhe gatimeve që e përjashtojnë përdorimin e yndyrave, po ashtu është stina ku preferohen verërat e gazuara, ato me ngjyrë të çelur me përqindje të ulët alkooli dhe të servirura në temperaturën e duhur.
Këto janë disa prej kombinimeve më të shijshme që nuk duhet të nguroni për ti provuar:
Për pizza, vera zgjidhet në varësi të përbërësve me të cilat ajo është gatuar. Për pizza Margherita ose pizza ku kombinohen djathra të ndryshëm sugjerohet verë Sangiovese ose Pinot Noir. Për pizza me sallam pikant ose lloje të tjera porosisni ose blini Merlot ose një verë rosè. Nëse doni të gatuani pizza me perimet e freskëta të stinës ose kjo është zgjedhja juaj pasi jeni vegjetarian atëherë zgjidhni verë Chardonnay ose Moscat. Verën Chardonnay mund ta zgjidhni edhe në rastin kur preferoni pizza me fruta deti.
Për pizza Capricciosa, verë Primitivo. Brusketat po ashtu kaq të preferuara e të thjeshta në përgatitje shijojnë më shumë me verë rosè ose verë të bardhë Trebbiano.
Duke kaluar nga brumrat tek sallata edhe në këtë moment vera i jep kuptim tryezës. Drejtohuni verërave të bardha si Chardonnay, pa harruar perimet e freskëta dhe të stinës. Nëse doni të konsumoni sallatë frutash, vera Moscat do të jetë kombinimi ideal.
Gjatë drekave buzë detit ku po pushoni ndër pjatat që porosisni më së shumti është peshku. Në këtë rast mund ta lëshoni pak dorën duke zgjedhur një verë të gazuar të vjetruar , veç zgjedhjeve të tjera si Pinot noir, Tokai për salmon, Chardonnay e në disa raste edhe Cabernet Sauvignon.
Përpara se të shkoni të pushoni në zona të qeta dhe të gjelbëruara e të ushqeheni me gatime të përgatitura në zgarë merrni me vete verë spanjolle pa harruar të siguroni një ftohës vere.
Nëse e keni tepruar me ushqime të thata, gatuani me perime supën e ftohtë gazpacho e shoqërojeni me një gotë verë italiane ose verë Sherry.