Politike
ÇFARE FSHIHET NGA VIZITA E WENDT NE SPAK/ ANALISTI: PO TENTOHET MARREVESHJE POLITIKE PER DREJTESINE
Analisti dhe eksperti i sigurisë, Ilir Kulla, e interpreton reagimin e fundit të Ambasadës Amerikane pas takimit të diplomatit Eric Quaintance me drejtuesit e SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit si një mesazh të qartë politik për Tiranën zyrtare. Sipas tij, pas komunikimit diplomatik fshihet një paralajmërim për të gjitha palët që mund të synojnë të ndërhyjnë në arkitekturën e re të drejtësisë.
Kulla vlerëson se ambasadori amerikan, megjithëse ende në fazën e parë të ushtrimit të detyrës, po ndjek të njëjtën linjë të vendosur nga paraardhësit e tij, Donald Lu dhe Yuri Kim: mbrojtjen e SPAK-ut dhe BKH-së si institucione që përbëjnë një vijë të kuqe për Shtetet e Bashkuara.
Sipas tij, mesazhi amerikan merr një rëndësi të veçantë në një moment kur në politikën shqiptare, siç pretendon ai, po qarkullojnë tentativa për marrëveshje mes palëve, që mund të prekin ristrukturimin e institucioneve të drejtësisë ose ndryshime në Kodin Penal.
“SPAK-u dhe BKH-ja janë vija të kuqe”, ishte thelbi i interpretimit të Kullës, i cili theksoi se Uashingtoni po përdor kode të qarta diplomatike për të sinjalizuar se nuk do të tolerojë cenimin e këtyre institucioneve.
Eksperti e lidhi këtë qëndrim edhe me atë që ai e cilësoi si anulimin e samitit të NATO-s për vitin 2027, duke e parë zhvillimin si pjesë të një konteksti më të gjerë të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Një tjetër element që Kulla veçoi ishte profili publik i ambasadorit të ri amerikan. Ndryshe nga Donald Lu dhe Yuri Kim, të cilët ishin shumë të pranishëm në media dhe në jetën publike shqiptare, Quaintance ka mbajtur një profil më të rezervuar, me dalje të pakta publike.
Por, sipas Kullës, pikërisht ato pak raste kur ambasadori apo Ambasada Amerikane kanë komunikuar publikisht kanë pasur në qendër organet e reja të drejtësisë. Për të, kjo nuk është një zgjedhje e rastësishme, por një tregues se SPAK-u dhe BKH-ja mbeten në fokusin e vëmendjes amerikane.
“Është një gjuhë e drunjtë diplomatike për të thënë që kjo është vija e kuqe”, përfundoi Kulla, duke e interpretuar takimin dhe mesazhet e ambasadës si një sinjal se Uashingtoni nuk dëshiron që reforma në drejtësi të kthehet në objekt pazaresh politike.