Politike
A PO I BASHKON URREJTJA NDAJ EDI RAMES? VELIAJ, BALLUKU DHE SPIROPALI, SKENARI I PARTISE SE RE
Analisti dhe eksperti i sigurisë Ilir Kulla, i ftuar në “Të Pashoq”, ka komentuar mundësinë e grupimit të të pakënaqurve brenda Partisë Socialiste në një subjekt të ri politik.
Kulla argumentoi se Erion Veliaj, Belinda Balluku dhe Elisa Spiropali ndodhen në pozicione të ndryshme, si në raport me drejtësinë, ashtu edhe me Partinë Socialiste.
Sipas tij, ndërsa Veliaj po zhvillon një betejë juridike dhe politike, Spiropali deri më tani ka artikuluar kërkesa për reformimin e Partisë Socialiste nga brenda dhe jo për krijimin e një alternative të re politike.
Kulla theksoi se veprimet e ardhshme të Spiropalit do të përcaktojnë edhe drejtimin e saj politik, ndërsa vlerësoi se zhvillimet e deritanishme nuk janë të mjaftueshme për krijimin e një lëvizjeje të përbashkët të të pakënaqurve.
– Qarkullojnë, për shembull, thashetheme se të indinjuarit mund të grupohen në një subjekt të ri politik më vete.
Ilir Kulla: Kush janë të indinjuarit?
– Spiropali, Veliaj, këta që përmendëm. Nuk e di, mund të ekzistojë kjo?
Advertisement
Ilir Kulla: Shiko, unë mendoj që Veliaj çdo veprim të rezistencës së tij politike e ka të lidhur ngushtë edhe me betejën e tij juridike. Shumë të lidhur ngushtë, se ka jetën e tij, ka jetën e familjes. Kini parasysh që është një njeri që ka dy fëmijë të vegjël, nuk i sheh dot, është i sëmurë, nuk e çon dot në spital, ka gati dy vjet paraburgim dhe po kalon në të njëjtën rrugë, rrugicë, në të cilën po kalon edhe Ilir Meta dhe po e bën në mënyrë luftarake. Pra, në asnjë moment nuk kemi parë një Erion Veliaj që të tërhiqet prapa, pra shkon përpara, pavarësisht se si është i izoluar.
Nëse Balluku po bën një betejë me drejtësinë, por ka dhe një qëndrim politik brenda Partisë Socialiste, Veliaj ka një betejë me drejtësinë dhe një qëndrim shumë të qartë politik edhe me partinë, pra konfrontimi.
Në rastin e Spiropalit, ne kemi një njeri që, siç është artikuluar nga ajo vetë, bën thirrje për luftë brenda llojit, për reformë brenda Partisë Socialiste, nuk bën thirrje për një alternativë tjetër.
Ndaj thashë që do të duhet të shohim nëse ajo do të dalë në shesh, nëse ajo do të mbledhë socialistët brenda llojit apo nëse ajo do të fillojë një ofensivë diplomatike. Në atë moment unë do të them se çfarë drejtimi merr. Kjo gjëja që ti sapo the tani nuk është e mjaftueshme për të krijuar një lëvizje.