Kosova
Sherri me grushte në Kuvend/ Reagon Vetëvendosja: Krim i organizuar
Pas përleshjes fizike në sallën e Kuvendit të Kosovës ditën e sotme, ku Albin Kurtit fillimisht iu hodh ujë nga deputeti i opozitës dhe më pas situata agroavoi në përplasje fizike, ka reaguar Vetëvendosja.
Në një deklaratë për mediat, VV thotë se ‘dora e zgjatur e atyre që nuk e duan shtetësinë, demokracinë dhe ligjin e Kosovës, u përpoq të bëhet grusht’.
Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar një video ku shihet kryeministri Albin Kurti, i bllokuar në foltore, në shoqërinë e ministrave dhe deputetëve të tjerë.
“I patrembur para krimit të 20 vjetëve!”, shkruhet në fjalinë e përdorur për të videon e incidentit të sotëm në Kuvend
Reagimi i plotë:
Krimi i organizuar dhe dora e zgjatur grusht nuk na ndalë në sjelljen e rendit dhe kushtetutshmërisë në Republikë
Sot në Kuvendin e Kosovës dora e zgjatur e atyre që nuk e duan shtetësinë, demokracinë dhe ligjin e Kosovës, u përpoq të bëhet grusht.
Teksa kryeministri Albin Kurti po mbante fjalim duke treguar për betejën e Republikës së Kosovës për shtrirje të rendit e të ligjit në veri të vendit, disa deputetë të PDK sulmuan me grushta, si një bandë rrugaçësh, kryeministrin dhe ministrat e Kosovës.
Ky sulm po bëhet ndaj qeverisë së parë të Kosovës e cila nuk e ka asnjë ministër apo zv.ministër të kontrolluar nga Beogradi. Ky sulm po bëhet pikërisht në një moment të rëndësishëm të ballafaqimit diplomatik e jo vetëm të Kosovës me Serbinë.
Ky sulm erdhi si veprim i koordinuar mes degëve të ndryshme të së njëjtës bandë: disa prej tyre i thonë vetes deputetë, disa i thonë vetes gazetarë, e disa protestues. Por Kosova do të ecë përpara në konsolidimin e shtetësisë së saj, pavarësisht sulmeve të tilla.
Lëvizja VETËVENDOSJE! mbetet e përkushtuar dhe e angazhuar për drejtësi dhe kriminelët që kanë dëmtuar shoqërinë e shtetin tonë për t’u pasuruar padrejtësisht, nuk do të amnistohen.