Connect with us

Shkrime

Bilanci i një sesioni parlamentar

Nga Roland Qafoku

Për çfarë vlejtën 22 seanca plenare në 11 muaj? Sa vlerë ka miratimi i 58 ligjeve, 13 nismave dhe 26 rezolutave, mes tyre dhe ligji i dyfishimit të pagës së vetë deputetëve? Çfarë tregoi në realitet ky sesion parlamentar? Të enjten u mbyll sesioni parlamentar i radhës dhe për 11 muaj kjo qendër e gravitetit të politikës shqiptare na tregoi shumë. Të 140 deputetët e Kuvendit zhvilluan gjithsej 22 seanca plenare pothuajse çdo të enjte dhe 4 seanca plenare jashtë radhe, të posaçme e të kondicionuara nga rrethana të ndryshme. Në këtë sesion u miratuan 58 ligje, akte normative dhe marrëveshje, nga 60 projektligje që depozitoi qeveria, nga të cilat vetëm 2 nuk u miratuan. Ndërkohë, u miratuan edhe 13 nisma të ndërmarra nga deputetët nga 17 që ata paraqitën gjithsej dhe po në këtë sesion u miratuan 26 rezoluta të institucioneve të pavarura. Në fakt, ky ishte bilanci formal aritmetik i këtij sesioni. Por çfarë tregoi në të vërtetë ky sesion me deputetët e ndarë 75 të PS, 59 të PD dhe partive aleate, 3 të LSI dhe 3 të PSD?

Së pari, ky sesion tregoi se ky parlament është tronditur si asnjë legjislaturë nga drejtësia në krahasim me çdo sesion tjetër. Me tre deputetë të arrestuar, Lefter Koka, Alqi Bllako dhe Arben Ahmetaj në kërkim, të tre të PS-së, parlamenti i këtij sesioni rezulton me më shumë deputetë të shënjestruar nga reforma e re e drejtësisë. Kjo tregoi se mazhoranca socialiste është tronditur rëndë nga këto arrestime dhe se mandati i tretë po shoqërohet me skandale të njëpasnjëshme dhe po has shumë vështirësi. Kjo tregoi në të njëjtën kohë se asnjë nga 140 deputetët e këtij kuvendi nuk është i paprekshëm dhe e njëjta gjë mund të ndodhë edhe në sesionet e tjera parlamentare. Ndërkohë që është për t’u përshëndetur që po në këtë sesion ky parlament ka dhënë miratimin për hetimin dhe arrestimin e kolegëve të tyre pas kërkesës së SPAK. Në këtë sesion ky parlament nuk është bërë pengesë dhe kjo është një shenjë e mirë dhe merita realisht i takon Partisë Socialiste që e ka kthyer në vendim politik për të miratuar çdo kërkesë të SPAK dhe organeve të tjera të drejtësisë. Por një gjë e tillë duhet të vijojë dhe po PS nuk duhet të nxjerrë justifikime dhe arsyetime për këdo që SPAK do paraqesë kërkesa të këtij lloji.

Së dyti, ky sesion tregoi se parlamenti shqiptar ende vazhdon të jetë me nivele të ulëta të përfaqësimit të vlerave. Një pjesë e deputetëve ndonëse kanë në CV-në e tyre një diplomë e shkollës së lartë, lënë shumë për të dëshiruar në aspekt të formimit qoftë të përgjithshëm dhe qoftë profesional. Në parlament duhet të themi se ka disa figura të rëndësishme që kanë formim dhe artikulim të mirë dhe se politika është profesioni i dytë i tyre pasi kanë shkëlqyer në fushat përkatëse. Por duhet thënë se parlamenti ka deputetë që nuk kanë nivel minimal formimi dhe nëse një ditë nuk do jenë deputetë, ata nuk mund të bëjnë asnjë punë tjetër. Kjo vihet re veçanërisht gjatë mbledhjeve të komisioneve në të cilat një pjesë e deputetëve vetëm sa shënojnë emrin si pjesëmarrës, sepse nuk kanë asnjë kontribut në hartimin dhe diskutimin e ligjeve dhe çështjeve të ndryshme.

Së treti, ky sesion tregoi se shumica e deputetëve të parlamentit marrin rrogën me plot kuptimin e fjalës kot. Nuk mbajnë fjalime, nuk marrin fjalën dhe nuk shprehin hapur mendimet e tyre për temën që diskutohet si në komisionet parlamentare dhe në seancat plenare. Në radhë të parë ky fenomen dallohet më qartë te Partia Socialiste që ka mazhorancën, por nuk mbeten prapa as të PD. Ka disa deputetë në grupin e saj që kanë frikë të thonë një fjalë hapur, të debatojnë me frikën se nëse do përmendin emra do jenë vetë ata që do kthehen në target të opozitës. Kjo është pjesa më e pavlefshme e këtij parlamenti. Nëse pyet një njeri të zakonshëm në rrugë sa emra deputetësh mban mend, e shumta mund të shkojë te 20-30. Të tjerët as nuk i kanë dëgjuar, e as nuk ka për t’i dëgjuar ndonjëherë. Po për çfarë i vlen një parlamenti deputetët që nuk flasin dhe nuk japin mendime?

Së katërti, ky sesion tregoi se deputeti tashmë nuk është më vendi i punës në shtet me një rrogë mesatare. Gjatë këtij sesioni, më 25 maj, me 95 vota pro dhe vetëm 3 kundër, deputetët i rritën rrogat vetes së vet duke e dyfishuar nga 156.770 lekë që ishte, në 310.250 lekë (2.820 euro), ndërsa e ministrave nga 174.760 lekë në 318.750 lekë bruto (2.897 Euro). Ky sesion e realizoi këtë me arsyetimin se madh se “e meritojnë dhe punojnë shumë” por në fakt ka sjellë një reagim të fortë në masën e njerëzve. Si fillim disa të rinj protestues hodhën para false ndaj deputetëve që hynin në Parlament atë seancë. Ata mbanin në duar pankarta ku shkruhej, “Mos u ngopshi” dhe “Hajdutë”. Por janë të shumtë ata që ky vendim u solli indinjtatë. Sigurisht që nuk është gjë e keqe ti dyfishosh rrogën “baballarëve të kombit”, por a është normale kjo kur ende si vend vlerësohesh si i dyti më i varfëri në kontinent?

Së pesti, ky sesion tregoi se ka patur më shumë ndikim dhe diktim ndaj kësaj mazhorance socialiste për shkak të skandaleve dhe çështjeve që janë bërë publike që nisin nga skandali “McGonigal” e deri te afera e inceneratorëve. Në disa seanca të posaçme, por edhe në seanca të zakonshme, deputetë të veçantë e deri te zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj janë bërë targeti i drejtësisë dhe si e tillë ky sesion tregoi se politikanët e ulur aty jo vetëm nuk janë engjëj, por një pjesë janë të përfshirë në abuzime marramendëse me arkën e shtetit.

Së gjashti, ky sesion tregoi edhe një herë se Shqipëria politike nuk është e maturuar dhe se deputetët nuk mendojnë për brezat e ardhshëm, por për zgjedhjet e ardhshme. Fakti që në këto 10 vjet plaga më e madhe e Shqipërisë mbetet largimi i njerëzve jashtë vendit me arsyetimin “për një jetë më të mirë” e bën direkt përgjegjëse qeverisjen, por akoma më shumë parlamentin. Kjo plagë nuk është as socialiste e as demokrate, por plagë shqiptare dhe si e tillë duhet t’i bënte bashkë deputetë për të gjetur mekanizma për të ndaluar hemoragjinë e shqiptarëve. Janë pak shumë pak ligje të miratuara në këtë sesion që ndihmojnë dhe stimulojnë rininë për të jetuar më dinjitet në vendin e vet. Dhe kjo bën që ata të vrapojnë drejt Rinasit për t’i shërbyer shoqërive të tjera.

Së shtati, ky sesion tregoi se Partia Demokratike po përjeton krizën më të thellë dhe më të rëndë që nga themelimi i saj. Pa një kryetar të grupit, pa një grup të konsoliduar dhe pa një unitet, grupi parlamentar i kësaj partie është pothuajse i shpërbërë dhe aspak efektivitetin e duhur. Sado që në shumë raste seancat plenare u shndërruan në inkadeshente ajo që ka rënë në sy ka qenë fakti që nga ana tjetër, mazhoranca, nuk para e ka vrarë shumë mendjen. Ajo që mbetet është se në masën e njerëzve thuhet hapur: me këto skandale që po i ndodhin qeverisë, të ishte një PD tjetër, do ta kishte rrëzuar.

Së teti, ky sesion tregoi se kontrolli i parlamentit ndaj qeverisë nuk është në shkallën e duhur. Interperlancat e veçanta për ministrat nuk e kapërcyen pragun e një rrëfimi në vetën e parë në nivelin e një studenti 20-vjeçar i pyetur sa studion në universitet. Në asnjë rast ministrat nuk dhanë llogari reale për punët e bëra dhe të pabëra. Madje, disa treguan fodullëk, siguri e deri prepotencë ndaj kolegëve dhe ndonjë tjetër tregoi se ka “ende turkun në vetëvete”, e perifrazuar kjo nga letra e famshme e kryeministrit Rama që u dërgoi vartësve të vet në shtator të vitit 2015.

Së nënti, ky sesion tregoi se është drejtuar në përgjithësi mirë nga zonja e dytë në historinë e parlamentarizmit shqiptar, Lindita Nikolla. E balancuar dhe me tendencë zbatimin e rregullores, kryetarja Lindita Nikolla tregoi se ishte jo vetëm një zgjedhje e duhur, por e denjë për drejtimin e një institucioni që duhet thënë është nga më të vështirë në strukturat e shtetit shqiptar.

Së dhjeti, ky sesion tregoi se administrata e Kuvendit qendron shumë më lartë se niveli i deputetëve. Është për t’u përshëndetur puna që bëjnë aty specialistë të çdo fushe dhe bëjnë të mundur mbarëvajtjen e çdo pune në kuvend dhe jo vetëm. Mbi të gjitha e drejta e informimit është elementi më mirë i zbatuar nga kjo administratë.

 

Advertisement