Politike
Balla takim me policinë e Gjirokastrës, zbardhen porositë
Ministri i Brendshëm Taulant Balla gjatë takimit me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë së Gjirokastrës, ka deklaruar se policia dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese kanë nevojë për disa ndryshime në vizionin dhe misionin e tyre.
Balla ka nënvizuar se eficenca e punës së policisë nuk varet nga forca e tyre, por nga forca e ligjit, duke theksuar se duhet t’i jepet më shumë prioritet komunikimit dhe bashkëpunimit me qytetarët dhe funksioneve edukuese të Policisë.
“Siç e kam bërë të ditur gjatë kontakteve të mia të para me drejtues të Policisë së Shtetit, përfaqësues të institucioneve, por edhe me qytetarë në të gjithë territorin e vendit, Policia dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese kanë nevojë për disa ndryshime në vizionin dhe misionin e tyre. Kam konstatuar se publiku dhe qytetarët i kanë mirëpritur këto qasje të reja në raportet e Policisë me ligjin dhe qytetarët.
Duhet t’i japim më shumë prioritet komunikimit, bashkëpunimit e partneritetit me qytetarët dhe funksioneve edukuese të Policisë dhe agjencive ligjzbatuese.
Eficenca e punës së Policisë nuk varet nga forca e policit, por nga forca e ligjit. Policia duhet të jetë më shumë vetëkorrigjuese dhe duhet të perceptohet vetëm dhe vetëm si simbol i ligjshmërisë. Polici duhet të jetë një model, një referencë për qytetarët.
Në çdo rast shkelja e ligjit ka pasoja të rënda për shoqërinë, por kur ligjet shkelen nga policët, pasojat janë shumëfish më të rënda. Kjo trondit besimin publik jo thjesht te policia, por te shteti dhe ligji.
Por këto përmirësime në vizionin dhe misionin e Policisë nuk realizohet thjesht sepse i kërkoj unë apo i mbështesin qytetarët. Ato kërkojnë edhe një mbështetje ligjore dhe ne do të fillojmë të punojmë për këtë”, tha Balla.