Connect with us

Politike

Afera e inceneratorëve/ Berisha: Ahmetaj dhe familja e tij po kërcënohen me jetë

FJALA E PLOTË E BERISHËS

Sot sytë dhe mendjet e shqiptarëve janë të drejtuara në hetimin vjedhjes së shekullit. Duhet të shtoj këtu se afera e djegësave, e vlerësuar nga shqiptarët si vjedhja e shekullit, është njëkohësisht hetimi ose dështimi i shekullit. Pra, hetim i suksesshëm ose dështim i tmerrshëm i këtij hetimi. Ndaj jam këtu sot për të denoncuar përpara shqiptarëve disa zhvillime me të cilat, kupola e mafies së plehrave po bën gjithçka për të ndikuar dhe për të penguar hetimin. Së pari, u informoj se prej tre javësh, breshëri kërcënimesh me jetën e tij, të prindërve dhe familjarëve të tjerë, fëmijëve, vërshojnë nga të katër anët drejt Arben Ahmetajt. Këto kërcënime kriminale dëshmojnë tmerrin dhe datën që Arben Ahmetaj u ka kallur Edi Ramës dhe Erion Veliajt si bosët kryesorë të vjedhjes së shekullit. Me këto kërcënime ndaj Ahmetajt, Rama dhe Veliaj kërkojnë me çdo kusht që t’i mbyllin gojën që të mos i bëjë publike ndërhyrjet e Ramës dhe Veliajt si kupolë kryesore e vjedhjes së shekullit. Kërcënimet me jetë ndaj familjes së Ahmetajt që vërshojnë nga qelitë e burgjeve të Shqipërisë dhe zyrat e krimit të institucioneve shtetërore, dëshmojnë se Rama, Agaçi dhe Veliaj janë de facto dhe de jure, ligjërisht dhe penalisht, truri dhe ekzekutorët kryesorë të vjedhjes së shekullit. Ju bëj thirrje të gjithë hetuesve, prokurorëve, policëve, punonjësve të organeve të zbatimit të ligjit, që janë të interesuar në zbardhjen e të vërtetës rreth vjedhjes së shekullit, të marrin të gjitha masat për të mbrojtur familjarët, fëmijët, por edhe vetë Arben Ahmetaj. Të dërgojnë aty ku ndodhet ky i fundit hetues, duke e pranuar atë si bashkëpunëtor të drejtësisë. Shqiptarët, mbi të gjitha duan të zbardhet e vërteta dhe të marrin mbrapsht paratë qindra milionë që ky grup i grabiti atyre me këtë aferë. Edhe njëherë theksoj se afera e djegësave është vjedhja e shekullit, kurse hetimi është hetimi i shekullit. Sipas burimeve origjinale, po ushtrohet presion i madh ndaj ekipit të hetimit të vjedhjes së shekullit. Në këtë kontekst, kërkoj të hetohet çdo kontakt i cilitdo punonjës me ekipin e hetimit të vjedhjes së shekullit. Në këtë kontekst, kërkoj dorëheqjen e menjëhershme të inspektorit të lartë të drejtësisë, Artur Metani, i cili është ligjërisht dhe penalisht një nga përgjegjësit më kryesorë të aferës së djegësave në Shqipëri. Artur Metani, informoj shqiptarët, se është bashkë me Engjëll Agaçin, njeriu që ka argumentuar, që ka marrë pjesë në të gjithë argumentimet ligjore të Këshillit të Ministrave. Artur Metani, ish-drejtues i departamentit juridik të Këshillit të Ministrave, që është gardiani kryesor i vendimeve të Këshillit të Ministrave, bashkë me Agaçin kanë legjitimuar një procedurë krimi. Artur Metani është i zhytur kokë e xhep në vjedhjen e shekullit. Ai, pa asnjë tagër, ka kryesuar mbledhjen me 5 zëvendësministra në Ministrinë e Mjedisit, e bërë me qëllim nga Edi Rama dhe Engjëll Agaçi për të shkelmuar strategjinë e hartuar me 4 mln euro investime të BE për trajtimin e mbetjeve në Shqipëri me depozitim, seleksionim, riciklim. Ky zotëri ka kryesuar mbledhjen pa asnjë tagër, thjesht për interesa të kupolës së mafies së plehrave. Ndaj i kërkoj dorëheqjen e menjëhershme nga posti, sepse përbën kërcënim potencial madhor për të gjithë hetuesit dhe gjykatësit e kësaj çështje, pasi ai është vetë i inkriminuar plotësisht dhe tërësisht.

Advertisement