Pinknews
“Bëni një vrimë në gjoksin tim”, e diagnostikuar dy herë me kancer, modelja rrëfen dramën e saj
Modelja kanadeze, Linda Evangelista, ka ndarë me ndjekësit histori të dhimbshme nga jeta e saj. Ajo është shprehur se ka luftuar me kancerin e gjirit dy herë në pesë vitet e fundit. Në një intervistë dhënë për mediat së fundmi, 58-vjeçarja tregoi se hera e parë që u diagnostikua ishte në vitin 2018. “E zbulova në mamografinë time vjetore. Doja të lija gjithçka pas dhe të mos merresha me këtë, ndaj zgjodha mastektominë dypalëshe, si një metodë të pranueshme parandalimi.. Duke menduar se do isha mirë dhe se kanceri i gjirit nuk do të më vriste”, tha ajo. Për fat të keq, në korrik 2022, Evangelista ndjeu një gungë në gjoksin e saj dhe mësoi se kanceri i saj i gjirit iu rikthye. “Bëni një vrimë në gjoksin tim”, i tha ajo onkologut të saj pas diagnozës së dytë. “Nuk dua që të duket bukur. Unë dua që ju të bëni një vrimë. Unë dua të shoh një vrimë në gjoksin tim kur të keni mbaruar. Më kuptoni? Unë nuk do vdes nga kjo.”, u shpreh Linda Evangelista. Modelja shprehu se është mirënjohëse për çdo ditë që po kalon, pasi e ardhmja e saj është e pasigurt. “E di që kam një këmbë në varr, por jam plotësisht mirënjohëse. Kam kaluar disa probleme të tmerrshme shëndetësore. Jam shumë e lumtur që festoj librin e jetës time. Jam shumë e lumtur që jam gjallë. Çdo gjë që vjen tani është bonus”, tha ajo.