Connect with us

Shkrime

Aleanca e hapur dhe e fshehtë e foltores me qeverinë

Nga Namir Lapardhaja

Që “Foltorja” është në aleancë, herë të hapur, herë të fshehtë, me qeverinë kjo, tashmë, nuk është e re.
Por që edhe pushtetit dhe qeverisë i intereson mbajtja e zjarrit të revolucionit ndezur, kjo nuk çudit më askënd, sepse korrupsioni ka nevojë për oksigjen që i vjen nga modeli i ngjashëm.
Ndonëse kanë kaluar dy javë nga çelja e sesionit të ri, Lindita Nikolla, në cilësinë e Kryetares së Kuvendit, ende nuk i ka kthyer një përgjigje zyrtare Partisë Demokratike për ndryshimet në përbërjen e drejtimit të grupit të saj parlamentar.
Për të gjithë ata që e kanë harruar, pak kohë më parë, Nikolla i bindej sms-së së Flamur Nokës, kur ai i kërkonte: “Edhe një herë Berishën për procedurë e të ikim ne ” (Pa harruar dhe buzëqeshjen në fund).
Nëse ndaj “Foltores”, që juridikisht është e paligjshme dhe një organizatë fantazmë për sa kohë që nuk regjistrohet zyrtarisht si person juridik, është kjo sjellje dhe kjo bindje, ndaj personit juridik Partia Demokratike e Shqipërisë përdoret një standard tjetër, i dyfishtë, i pambështetur në ligj dhe në rregullore.
Rregullorja e Kuvendit në Nenin 15 (Formimi i Grupeve Parlamentare), pika 2, në mënyrë të qartë shprehet:
“Grupet parlamentare, sipas përkatësisë partiake, formohen mbi bazën e listës së partive që përfaqësohen në Kuvend…”
Pra, ligji është eksplicit dhe referon te subjektet partiake. Lista e partive që përfaqësohet zyrtarisht me mandate nga KQZ-ja, në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021, është lehtësisht e verifikueshme nga Parlamenti.
Dhe, mbi të gjitha, kemi të bëjmë me kushtetuetshmërinë apo jo të kësaj farse që po tentohet. Partitë janë etnitet kushtetues. Në “biblën” e shtetit ligjorë ka disa nene për partitë që janë baza e pluralizmit, kurse grupet parlamentare as që përmenden, sepse janë vetëm rrjedhojë e këtyre etniteteve kushtetuese. Në këtë rast, Partisë Demokratike.
Mirëpo, kjo nuk i ka mjaftuar Lindita Nikollës, e cila ka kërkuar interpretim nga zyra juridike e Kuvendit, interpretim i cili, ndonëse kanë kaluar dy javë, ende nuk ka ardhur.
Në të kundërt, a do të kërkohej interpretim juridik nëse, fjala vjen, çmendet kryetari i grupit parlamentar të PS-së dhe së bashku me 20 deputetë i bashkëngjitet “Foltores” së Berishës?! A do ta marrë me vete në marrëzinë e tij edhe drejtimin e grupit parlamentar apo partia që e ka mandatuar për të qenë i tillë do të dërgojë një shkresë dhe do vendosë emra të rinj të drejtimin e grupit?!
Lindita Nikolla në atë pozicion, edhe pse është e zgjedhur e Partisë Socialiste, është për të qenë mbarëvajtëse e punëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe nuk mund të bëhet pjesë e cirkut të “Foltores” sa herë që ka seanca plenare.
Përndryshe, shihet se edhe ajo është nën urdhrat e partisë, e cila e ka të qartë si drita e diellit se me një Berishë dhe grup parlamentar pas tij, që bëjnë zhurmë çdo të enjte për të trembur SPAK-un nga oborri i familjarëve të vet, jetëgjatësia politike e PS-së dhe e Edi Ramës është e pafundme.

Advertisement