✦
Thinking ...
Connect with us

Shkrime

RAMA NE GRAHMAT E FUNDIT, NESHO THIRRJE PER BASHKIM: TE SHPETOJME SHQIPERINE

Nga Agim Nesho
Represioni policor i Ramës ndaj protestës popullore nuk është shenjë e mbajtjes së pushtetit, por rritjes së çmimit të negocimit për largimin e tij. Një pushtet i korruptuar, anti-popullor dhe i urryer gjithmonë e më shumë për rezistencën e tij, nuk mund të mbahet nga dëshira individuale, nga “misioni” për të na futur në Bashkimin Europian apo nga gazi lotsjellës, por nga krimi i organizuar që kërkon kthimin e investimit të tij dhe klientela ndërkombëtare, që për turpin e saj hesht dhe fsheh bashkëpunimin e saj me një narko-shtet.

Rama është përpjekur që në fillim ta mbysë protestën duke blerë individë, ushtruar presion të gjithanshëm administrativ, përcarje të grupeve të interesit dhe partive që presin të vijnë në pushtet si rezultat i kompromiseve me të. Ai po punon pareshtur për të krijuar një opozitë “anti-Rama”, që deklarohet kundër tij, e shan atë, por është e gatshme “për interesat e atdheut dhe integrimit europian” të bashkëpunojë me të. Ai është përpjekur për të goditur opozitën e vërtetë demokratike që për një kohë të gjatë ka demaskuar aferat e tij korruptive, shpërdorimin e pasurisë publike dhe kthimin e Shqipërisë në një plackë tregu për interesat e pushtetit të tij.

Rama e ka të qartë që pa opozitën e vërtetë, e organizuar dhe me përfaqësim të gjerë, me program konkret dhe e aftë profesionalisht të marrë përgjegjësinë për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe rikthimin e demokracisë funksionale, përpjekjet frymëzuese dhe aksioni i rinisë studentore nuk do të arrijnë objektivat e duhura.

Tezat e Ramës, që në fillim e përcuar me patronazhistët e tij, kanë qenë:

Së pari, barazimi i tij me liderin e opozitës – një kryeministër me pushtetin e tij të korruptuar dhe lidhjen me krimin e organizuar që ka shpërdoruar miliarda euro nga fondet publike me një lider të opozitës që ka tre vite nën hetim nga prokuroria speciale dhe nuk i është provuar asgjë. Kjo tezë kërkon të baltosë gjithë politikën Shqiptare, të shpjegojë situatën si një normalitet të politikës, ku kultura ballkanike favorizon korrupsionin si një fenomen endemik (kujtoni deklaratën e Komisioneres Kos). Ky qëndrim ndan protestën dhe nuk realizon numrin kritik për të rrëzuar regjimin e tij. Në të njëjtën kohë Partia Demokratike dhe lidershipi i saj duhet të reflektojnë ndaj perceptimit publik duke hapur Partinë me figura të reja, të kenë një raport të drejtë midis kontributeve dhe profesionistëve të aftë brenda partisë, të mundësojë garën e lirë dhe të përgatisë gjeneratën e re të liderëve.

Së dyti, kërkesa për heqjen e gjithë klasës politike të periudhës 35-vjeçare është një kërkesë e Ramës me lakenjtë e tij të fshehur për ta portretizuar protestën si një lëvizje anti-sistem, revolucionare e ekstremit të majtë që nuk është ngritur kundër korrupsionit, shpërnguljes masive të shqiptarëve, kushteve të jetesës, por si një lëvizje për të thyer sistemin. Kjo tezë i shërben Ramës për të ngritur shqetësim në Bruksel, në një kohë të veprimeve gjeopolitike për të mos lënë hapësira boshe influence, për të devijuar perceptimin në kancelaritë botërore për kërkesat reale të shqiptarëve dhe vonuar veprimin e tyre.

Sigurisht pjesëmarrja e studentëve dhe idetë e tyre për një republikë të re duhet të jenë parësore për një shoqëri të re që kërkon të integrohet në BE, por kjo kërkon në radhë të parë rikthimin e demokracisë dhe legjitimitetit që sjell vota e lirë.

Studentët janë pjesa më frymëzuese e shoqërisë për vrullin, idetë dhe pastërtinë e figurës së tyre idealiste, por misioni i tyre sot është rrëzimi i regjimit dhe rikthimi i demokracisë.

Vërtetë Rama po kthen diktaturën në Shqipëri, por diktatura e Ramës po ngrihet mbi një sistem demokratik, kushtetutë demokratike dhe një populli që ka pranuar demokracinë si sistemin e tij politik. Në demokraci parimi “ik ti, që të vij unë” nuk vlen si në sistemet me ideologji ekstreme, marksiste apo fashiste, por nëpërmjet votës së lirë, kushteve të barabarta të garës dhe meritokracisë.

Eksperimenti i regjimit të Ramës për të kapur shtetin, për të përdorur si fasadë një administratë të politizuar dhe brez të ri të emëruar prej tij është në funksion të pushtetit të tij të inkriminuar, pra    një eksperiment i dështuar. Për më tepër që Rama erdhi në pushtet duke futur në Parlament elementë të inkriminuar, me justifikimin se këta i do populli, duke realizuar për herë të parë marrjen dhe mbajtjen e pushtetit me aleancën e qelbësirave. Në demokraci, eksperienca e shoqërive perëndimore ka treguar se funksionimi i institucioneve dhe jo individi, është parësore, ashtu si meritokracia në bazë të vlerave. Sistemi demokratik funksionon në bazë të rregullave të përcaktuara dhe shoqëria përparon jo në bazë të revolucioneve të “interesave politike” por ka progres të shoqërisë në bazë të ideve dhe përfaqësuesve të tyre nga shoqëria, nëpërmjet votës së lirë në institucionet përfaqësuese.

Rama është në grahmat e fundit të regjimit të tij. Për ta bërë sa më shpejt fundin e këtij regjimi diktatorial dhe anti-popullor duhet vetëm BASHKIM, bashkim i gjithë qytetarëve dhe frontit opozitar. Kur mendohet të shpëtohet Shqipëria, asnjë atdhetar nuk mendon se për kë e bën këtë luftë.

Në fund të kësaj lufte do të kuptojmë se rinia jonë heroike bëri çdo sakrificë për të shpëtuar Shqipërinë nga një diktaturë e re. Pjesa tjetër i takon votës së lirë dhe gjykimit të opinionit publik.

Advertisement