Connect with us

Bota

Zjarr në një klub nate në Spanjë, 13 të vdekur

Të paktën 13 persona u vranë, katër u plagosën dhe tre rezultojnë të zhdukur pas një zjarri që shpërtheu në klubin e natës Teatre në Murcia, në jug të Spanjës. Incidenti ndodhi rreth orës gjashtë të mëngjesit të ditës së dielë dhe zjarri u përhap në klubet e tjera të natës në zonën tregtare. Zjarrfikësit kanë arritur të shuajnë flakët. Për momentin nuk dihet origjina e flakëve, e cila përfshiu edhe   klubet e natës Golden dhe Fonda, të cilat u përhapën në katin e parë dhe më pas bënë që tavani të rrëzohej mbi njerëzit. Mes dëshmive prekëse është edhe ajo e babait të një viktime që ka publikuar në rrjetet sociale audion e mesazhit të marrë nga vajza e tij rreth orës 6 të mëngjesit. “Mami të dua, po vdes”, dëgjohet vajza, e cila flet mes britmave të njerëzve të tjerë brenda në klub. Shumë të mbijetuar thanë se menjëherë pas shpërthimit të zjarrit është fikur rryma. Pamjet e para nga zona e aksidentit tregojnë dhjetëra të rinj në rrugët pranë lokaleve të natës, ndërsa një kolonë e madhe tymi të zi ka dalë nga ambientet. Për shuarjen e zjarrit janë përdorur 12 makina zjarrfikëse dhe 40 punëtorë. Shërbimet e urgjencës ngritën një qendër për të ofruar ndihmë, veçanërisht psikologjike, për të mbijetuarit. Policia njoftoi gjithashtu se nuk përjashtohet prania e vdekjeve të tjera. Njësitë e specializuara nga Shtabi i Policisë Murcia po hetojnë për të përcaktuar origjinën e zjarrit.  Ky nuk është zjarri i parë që godet klubin e natës Teatre, kjo pasi në qershor 2009 disa kabllo në fasadë morën flakë. Edhe këtë herë duket se shkaku i fatkeqësisë mund të ketë qenë djegia e një qarku të shkurtër elektrik, por sipas zjarrfikësve duhet të presim hetime të mëtejshme për të konstatuar origjinën e flakëve. Rajoni i Murcias shpalli tre ditë zie.

Advertisement