Kosova
Serbia nuk po sanksionohet pasi po i shet armë Ukrainës
Florian Biber, profesor në Universitetin e Grazit në Austri, në një intervistë për mediumin malazez ‘Vijesti’, ka thënë se është “i habitur” nga Perëndimi që ende nuk i ka vendosur sanksione Serbisë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. “Unë nuk shoh vullnet për të kritikuar hapur dhe qartë Vuçiçin. Qeveria e Kosovës mori më shumë kritika, madje iu vendosën sanksione për një rast më pak të rëndë se ai në Banjskë. Është e mundur që kjo të jetë për shkak të pamjes më të gjerë gjeopolitike, sepse edhe pse Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, por ajo po i shet municion Ukrainës” – tha Biber. Sipas tij, Perëndimi po përpiqet të zvogëlojë ndikimin e Rusisë në Serbi me shpresën se Vuçiç do të tregohet properëndimor në fund të fundit, dhe nga ana tjetër, “ai kërkon të lejohet të prodhojë destabilitet të kontrolluar”. “Vuçiç i shet Perëndimit historinë se është garantuesi i stabilitetit, se pa të nuk ka asgjë dhe në të njëjtën kohë thotë se, nëse humbet mbështetjen, mund të ndikojë në paqëndrueshmërinë e të gjithë rajonit” – deklaroi Florian Bieber, sipas te cilit, presidenti serb Aleksandër Vuçiç nuk mund të jetë njëkohësisht lider i bashkëpunimit rajonal në rrugë zyrtare dhe sabotues i stabilitetit në rrugë jozyrtare, derisa ka shtuar se “kjo shihet në dështimin e iniciativës së ‘Ballkanit të Hapur’.