LAJMI I FUNDIT
Akuzat e SPAK ndaj babait dhe bashkëshortit, flet Argita Malltezi
“Një rrëshqitje e tmerrshme e sistemit të drejtësisë”, kështu i ka quajtur Argita Malltezi akuzat ndaj babait të saj, ish-kryeministrit Sali Berisha dhe bashkëshortit Jamarbër Malltezi. Në një intervistë të rrallë në studion te “Top Story” në Top Channel, Malltezi e ka quajtur çështjen e SPAK si sulm politik. Ajo tha se nuk e mendonte kurrë, por çdo gjë është e mundur. “Përveç faktit që në jetën time politika dhe familja janë dy gjëra të pandashme, është babai, është tim shoq, ky është një rast ku edhe si juriste edhe si familjare dhe si një njeri që i ndjek zhvillimet politike, e konsideroj si një rrëshqitje jashtëzakonisht të sistemit të së drejtës. Kur sulmin politik e bën sistemi i drejtësisë kjo është një rrëshqitje e rëndë. Sot unë ju jam mirënjohëse që më keni ftuar”, u shpreh Malltezi. E pyetur nga moderatorja Grida Duma për pasurinë e saj, Malltezi tha se ka qenë ndër të parat që ka deklaruar çdo qindarkë të pasurisë së saj që prej vitit 2005. “Ka qenë një prej vendimeve më të mira në rrafshin e vendimeve politike. E vërteta është liri që ti të veprosh në një strukturë që ti e njeh. Po të mos ishte bërë ai deklarim, sot njerëzit do të kishin më shumë paqartësi se çfarë kanë. Edhe përpara atij deklarimi, jam përpjekur të ndjek atë sistem normash morale tek i cili unë mbahem fort dhe e kam ndjekur vazhdimisht. Për këtë fakt, që kur kam mbarruar fakultetin, kam ruajtur çdo lloj dokumenti. Dhe kjo është bërë një armë shumë e fortë për mua”, u shpreh Malltezi.