Connect with us

Kosova

Ish-zyrtari i OKB-së në Kosovë ‘dërmon’ Perëndimin

Jolyon Naegele, ish zyrtar i OKB-së në Kosovë dhe koordinatori i parë i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë mandatit të UNMIK-ut në vitin 2003, në një intervistë për Zërin e Amerikës ka kritikuar bashkësinë ndërkombëtare që në 20 vitet e fundit nuk ka ofruar zgjidhje afatgjatë për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Ekziston një standard i dyfishtë në politikën e Shteteve të Bashkuara si dhe në politikën e disa shteteve të Bashkimit Evropian lidhur me Kosovën dhe Serbinë. Bashkësia ndërkombëtare, përfshirë ata që janë të pranishëm në Kosovë në 20 vitet e fundit, vazhdimisht kanë dështuar të bëjnë parashikime afatgjata dhe të kuptojnë se çështjet me të cilat po përballen, nuk do të zhduken, por vetëm sa do të acarohen nëse mbesin të pazgjidhura” – tha Naegele.

Ai konsideron se gjatë një dekade dialog, pozicioni i Serbisë veçse është ashpërsuar në raport me Kosovën, dhe ka shtuar se “gjërat vetëm janë përkeqësuar”.

“Nuk ka vullnet për përparim. Serbia e mbështetur nga Moska, po luan për të fituar kohë duke besuar se duke e tërhequr zvarrë këtë çështje, situata ndërkombëtare me kalimin e kohës do të jetë në favor të tyre dhe interesave të Moskës” – shtoi ish zyrtari i OKB.

Ai e ka cilësuar si pozitive kërkesën e presidentit francez, Emmanuel Macron, kancelarit gjerman, Olaf Scholz, kryeministres italiane, Giorgia Meloni, të cilët kanë kërkuar nga Kosova që të nis procedurat për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa Serbisë që de facto ta njohë shtetësinë e Kosovës.

“Nuk do të ndryshojë asgjë nëse dy palët nuk vendosin të bëjnë diçka konkrete. Deklarata është pozitive në kuptimin që deklaron qartazi çfarë duhet të bëhet, në vend të mosangazhimit apo deklaratave që u bëjnë thirrje palëve të ndërmarrin ndonjë veprim me gjuhën e zakonshme të BE-së që, siç e shohim në raportin e Kosovës, duhet lexuar mes rreshtash. Por procesi nuk do të përparojë nëse përfaqësuesit e Unionit nuk i mbledhin palët në të njëjtën sale dhe të jenë më këmbëngulës me ta” – theksoi Naegele, i cili gjithashtu konsideron se është shansi i fundit që vendet e Bashkimit Evropian të diskutojnë për sjelljen e Beogradit dhe të kushtëzojnë përparimin e Serbisë drejt integrimeve evropiane me qëndrimin e saj ndaj Kosovës.

Advertisement