Sport
Trajneri i Moldavisë “ngushëllohet” me barazimin kundër Shqipërisë: Skuadra ishte e vendosur për të fituar
Barazimi me Moldavinë e dërgoi Kombëtaren Shqiptare drejt Gjermanisë, por në anën tjetër vetë moldavët kanë akoma një fije shprese për vendin e dytë. Trajneri i kombëtares së Moldavisë, Sergei Kleshcenko, ka komentuar pas ndeshjes barazimin me kuqezinjtë ku përpos rezultatit, ai mendon se skuadra organizoi një festë për tifozët.
“Mendoj se arritëm të organizonim një festë për fansat tanë. Po, nuk fituam, por lamë shumë energji në fushë dhe dhamë maksimumin. Kjo do të thotë se fitorja do të vijë në ndeshjen e radhës”, u shpreh fillimisht trajneri i kombëtares moldave
“Skuadra ishte e vendosur për të fituar, kjo u duk tashmë në pjesën e dytë. Fatkeqësisht, në pjesën e parë u treguam pak të kujdesshëm ndaj pasimeve vertikale, duke bërë shumë pasime krosime. Ne nuk ishim shumë aktivë në sulm, loja nuk ishte aq e kënaqshme sa prisnim. Në pjesën e dytë, djemtë dolën të ngarkuar, filluan të luanin më përpara, shënuan një gol… Sigurisht, ata tashmë llogarisnin fitoren”.
Lidhur me ndeshjen vendimtare në Pragë e cila përcakton dhe fatin e skuadrës moldave për një kualifikim të mundshëm krah Shqipërisë në Gjermani, Kleshcenko shpjegoi se motivimi dhe psikologjia bëjnë të mundur rikuperimin fizik më të shpejtë.
“Donim të fitonim dhe nuk fituam, por gjithsesi barazuam dhe fituam të paktën një pikë. Djemtë tani janë në një humor të mirë. Kemi pasur tashmë ndeshje kaq të vështira me Suedinë dhe më pas me Poloninë, loja ishte emocionalisht intensive. Por ne kemi treguar se me qëndrimin e duhur ka gjithmonë forcë të mjaftueshme”, përfundoi ai.